Last Updated on 10/05/2026 by Monika
FC Barcelona ka njoftuar një lajm të trishtë në prag të “El Clásico”-s ndaj Real Madrid. Klubi katalanas ka shprehur ngushëllimet e tij për trajnerin Hansi Flick, pas ndarjes nga jeta të babait të tij.
Në një komunikatë zyrtare në rrjetet sociale, Barça shkruan: “FC Barcelona dhe e gjithë familja blaugrana i shprehim ngushëllimet tona Hansi Flick për humbjen e babait të tij. Ndajmë dhimbjen e tij dhe i qëndrojmë pranë në këtë moment të vështirë për të dhe familjen e tij.”
Pavarësisht lajmit të rëndë, Hansi Flick ka qëndruar me ekipin në grumbullim në hotelin “Torre Melina” dhe pritet të drejtojë skuadrën nga stoli në ndeshjen kundër Real Madridit. Ai ua ka komunikuar më herët lojtarëve lajmin e hidhur para nisjes së grumbullimit.
Në ndeshjen e madhe pritet të mbahet një minutë heshtje në nderim të babait të trajnerit gjerman, ndërsa futbollistët do të mbajnë shirita të zinj në krah si shenjë respekti.
Tifozët e Barcelonës kanë reaguar menjëherë me mesazhe ngushëllimi, duke shprehur solidaritet me trajnerin në këtë moment të vështirë./mxh
