Britney Spears ka reaguar publikisht për herë të parë pas problemeve ligjore dhe qëndrimit në rehabilitim, duke e përshkruar periudhën e fundit të jetës së saj si një eksperiencë transformuese.
Këngëtarja 44-vjeçare ndau në Instagram një imazh të një gjarpri bardhë e verdhë, simbol që sipas saj përfaqëson energjinë pozitive, shërimin dhe vetëdijen shpirtërore. Në mesazhin e publikuar, ajo u shpreh mirënjohëse për njerëzit që ka njohur gjatë kësaj kohe dhe tha se gjithçka që ka kaluar e sheh tashmë si “një bekim të fshehur”.
Britney tregoi gjithashtu se po punon ende me veten dhe po mëson të trajtojë më mirë emocionet dhe dialogun e brendshëm, duke e konsideruar këtë proces si një udhëtim të vazhdueshëm personal.
Pak ditë më parë, artistja pranoi fajësinë për drejtim automjeti në gjendje të dehur gjatë një seance në gjykatën e Ventura County në Kaliforni. Ajo nuk mori pjesë vetë në sallë, por u përfaqësua nga avokati i saj, Michael Goldstein.
Vendimi i gjykatës parashikon 12 muaj provë, një ditë burg të kryer më herët, si dhe ndjekjen e një programi edukues për alkoolin dhe drogën. Spears do të duhet gjithashtu të zhvillojë takime të rregullta me specialistë të shëndetit mendor.
Sipas raportimeve, pas arrestimit në muajin mars, këngëtarja u shtrua me dëshirën e saj në një qendër rehabilitimi në Maine, ku qëndroi për afro tre javë për trajtim lidhur me problemet emocionale dhe abuzimin me substanca.
Ndërkohë, Britney mungoi në ceremoninë familjare të diplomimit të mbesës së saj Maddie, vajzës së Jamie Lynn Spears. Në event ishte i pranishëm edhe djali i saj Sean Preston, ndërsa Jayden dha një koment të shkurtër për mediat duke thënë se e ëma “është mirë”./mxh
