Komentatorja e GB News, Sophie Corcoran, kundër fondacionit “10,000 Interns”, është pjesë e një strategjie më të gjerë juridike kundër politikave të diversitetit, e importuar nga Amerika e Donald Trump.
nga Jason Okundaye
Nëse luftërat tona kulturore do të arrijnë ndonjëherë pikën më absurde të tyre, ndoshta ky është momenti: një influencuese e bardhë po përgatitet të padisë një organizatë që promovon mundësi pozitive për pakicat etnike, duke pretenduar diskriminim ndaj të bardhëve.
Kjo është baza mbi të cilën komentatorja e GB News, Sophie Corcoran, ka ngritur një çështje ligjore kundër 10,000 Interns Foundation, organizatë që ndihmon në krijimin e mundësive të praktikës për të rinj zezakë dhe pakica të tjera etnike. Corcoran thotë se kishte aplikuar për një program të organizuar nga fondacioni dhe Bar Council, pasi kishte “eksploruar një karrierë ligjore”, por ishte refuzuar. Padia pretendon se asaj i është mohuar një mundësi punësimi dhe se është diskriminuar në shkelje të Aktit të Barazisë.
Është interesante që Corcoran e mbështet çështjen pikërisht tek Akti i Barazisë. Në fakt, ky ligj është baza mbi të cilën mbështeten skemat për diversitet, barazi dhe përfshirje (DEI). Është po ai ligj që një pjesë e madhe e së djathtës kërkon ta shfuqizojë. Siç reagoi Bar Council pasi deputeti i Restore Britain, Rupert Lowe, denoncoi programin tetorin e kaluar, iniciativa konsiderohet “veprim pozitiv i ligjshëm sipas neneve 158 dhe 159 të Aktit të Barazisë, bazuar në prova të nënpërfaqësimit në aksesin ndaj profesionit”.
Duket e pamundur që Bar Council, një prej organizmave më seriozë profesionalë, të përfshihet me vetëdije në një nismë të paligjshme. Por kjo padi ka të bëjë më pak me pretendimin individual për diskriminim ndaj të bardhëve dhe më shumë me përdorimin e “lawfare” – luftës juridike – si strategji për të shkatërruar infrastrukturën e DEI. Ka pak prova që Corcoran ka qenë ndonjëherë realisht e interesuar të bëhej avokate, por artikulli i saj në Daily Express, ku shpall “fushatën ligjore për t’i dhënë fund politikave të dëmshme DEI”, jep ndoshta një ide më të qartë për motivin e saj, i cili me siguri nuk lidhet me sigurimin e një praktike me pagesë 14.80 paund në orë.
Modeli për një proces të tillë gjyqësor është zhvilluar, natyrisht, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pas vendimit të Gjykatës Supreme që rrëzoi politikat e pranimeve universitare të bazuara në racë në vitin 2023 dhe përshpejtuar nga urdhrat ekzekutivë kundër DEI të Trump në 2025, është krijuar një industri e tërë padish kundër politikave të diversitetit. Aktivistë konservatorë dhe grupe juridike kërkojnë raste-model për të sfiduar programet e diversitetit në kompani, bursat dhe praktikat e punësimit. Janë vënë në shënjestër kompani nga Starbucks deri tek American Airlines. Vetëm javën e kaluar, edhe The New York Times u padit për diskriminim të pretenduar ndaj një redaktori të bardhë mashkull, i cili pretendon se nuk mori promovim për shkak të objektivave të gazetës për rritjen e diversitetit.
Kjo lloj lufte juridike ka rezultuar shumë efektive në SHBA, duke detyruar kompani të mbyllin iniciativat DEI, ose si reagim, ose paraprakisht. Madje ka qenë aq e suksesshme, sa disa firma ligjore po mbeten pa klientë. Dan Lennington nga firma konservatore Law & Liberty i tha The Washington Post tetorin e kaluar: “Lista ime e objektivave pothuajse ka shkuar në zero tani… Nuk ka më programe për sipërmarrësit zezakë të Amazon, as programe të mëdha diversiteti te FedEx, as iniciativa për themeluesit zezakë te Microsoft apo Apple. Të gjitha janë zhdukur”.
Padia kundër fondacionit “10,000 Interns” është përmbledhja perfekte britanike e një epoke ku luftërat kulturore po zhvendosen në terrenin juridik. Suksesi i saj varet edhe nga krijimi i një konsensusi ideologjik sipas të cilit këto pabarazi nuk ekzistojnë. Vetë Corcoran shkruan në X se ajo “nuk është kundër zgjerimit të mundësive për njerëzit me prejardhje të pafavorizuar”, por se “të qenit i zi” apo “të qenit grua” nuk duhet të konsiderohen disavantazhe.
Kjo ide bëhet edhe më joshëse në një krizë të papunësisë së të rinjve, ku gjithnjë e më shumë njerëz tundohen të pyesin pse duhet të ekzistojnë masa afirmative kur të gjithë e kanë të vështirë të gjejnë punë. Nuk kanë rëndësi, sipas këtij logjike, gjetjet e University College London vitin e kaluar se aplikantët zezakë dhe aziatikë me diplomë universitare kanë respektivisht 45% dhe 29% më pak gjasa të marrin oferta pune fillestare sesa aplikantët e bardhë, apo fakti se avokatët nga pakicat etnike përballen me pengesa sistemike në karrierë.
Rebecca Ajulu-Bushell, drejtoresha ekzekutive e “10,000 Interns”, thotë se organizata “mbledh të dhëna mbi mobilitetin social” të aplikantëve dhe se programi merr në konsideratë “gjeografinë, balancën gjinore, universitetet e ndryshme – të gjitha këto kanë ndikim në mobilitetin social”. Në çështjet e përfaqësimit dhe privilegjit, sidomos në profesionet elitare, tabloja është gjithmonë më e ndërlikuar sesa një përplasje e thjeshtë racë kundër klase.
Corcoran duket se po mbledh fonde publikisht për padinë e saj, por nuk është e paimagjinueshme që kjo ose padi të ngjashme në të ardhmen të marrin mbështetje të madhe financiare dhe të bëhen më agresive. Fakt është se “10,000 Interns” nuk është organizata e vetme e këtij lloji. Ekziston një sektor i gjerë iniciativash DEI: programe që ndihmojnë gratë të hyjnë në profesionet STEM, personat me aftësi të kufizuara të punësohen, apo njerëzit me vështirësi socio-ekonomike, përfshirë edhe të bardhët e klasës punëtore.
Të gjitha këto mbështeten nga legjislacioni i barazisë. Dhe megjithëse Corcoran përdor Aktin e Barazisë për axhendën e saj, është e qartë se lëvizje të tilla i shërbejnë një qëllimi më të madh të së djathtës: çmontimit të vetë ligjit të barazisë. Në fakt, një nga politikat kryesore të Reform UK është shfuqizimi i Aktit të Barazisë “që ditën e parë”.
Rreziku potencial i gjithë kësaj shkon shumë përtej pengimit të programeve që ndihmojnë të rinjtë zezakë të gjejnë punë të mira. Nëse shohim rrjetin e shërbimeve shëndetësore, sociale dhe të mirëqenies që ofrohen nga organizatat bamirëse ose financohen nga institucione publike si lotaria kombëtare, shumë prej tyre ekzistojnë falë mbrojtjeve të Aktit të Barazisë. Kjo përfshin gjithçka, nga shërbimet e shëndetit seksual te strehëzat për viktimat e dhunës në familje, organizatat për të pastrehët apo shërbimet e shëndetit mendor për komunitete specifike.
Dobësimi ose heqja e këtyre kornizave ligjore nuk prek vetëm programet, por edhe të drejtat për mbrojtje dhe zbatim ligjor – nga tribunalet deri te detyrimet e sektorit publik për barazi. Një analizë ka treguar se nëse një qeveri e zgjedhur e Reform UK do të shfuqizonte Aktin e Barazisë, kjo mund të rrezikonte lejen e lindjes dhe sigurinë në punë për gjysmë milioni gra shtatzëna.
Cili do të jetë rezultati i kësaj padie? Në një farë mënyre, për paditësen nuk ka shumë rëndësi. Vetë fakti që organizata përfshihet në procedura që i konsumojnë kohë, energji dhe burime, përbën një fitore. Kur Akti i Barazisë bashkoi ligjet kundër diskriminimit në vitin 2010, ai u krijua në mënyrë abstrakte, pa parashikuar një shoqëri ku mund të përdorej politikisht nga aktorë që duan të mohojnë ose rishkruajnë vetë ekzistencën e diskriminimit.
Dhe kështu, organizata do të pengohen ose shkatërrohen gjatë rrugës, por në fund vetë Akti i Barazisë mund të përfundojë në bankën e të akuzuarve. Dhe kjo mund të na lërë miliona njerëz më të pambrojtur se kurrë më parë.
*Jason Okundaye është redaktor i rubrikës Opinion në The Guardian/ Përgatiti për botim: L.Veizi
