Numri i udhëtarëve që mund të jenë prekur nga një variant i rrallë dhe vdekjeprurës i një sëmundjeje të quajtur hantavirus ka vijuar të rritet.
Shpërthimi i kësaj sëmundjeje pak të njohur, e cila zakonisht transmetohet nga brejtësit te njerëzit, nisi në mesin e prillit në një anije ekspedite turistike me flamur holandez, MV Hondius, e cila u nis nga Ushuaia, Argjentinë, më 1 prill. Që atëherë, të paktën tre persona nga 147 pasagjerët dhe anëtarët e ekuipazhit të anijes kanë humbur jetën dhe të paktën pesë të tjerë janë raportuar të sëmurë, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).
Një rast i ri i dyshuar me hantavirus u raportua më 7 maj, kur një stjuardesë e kompanisë Royal KLM Dutch Airlines, e cila kishte pasur kontakt me një nga pasagjerët e infektuar të anijes turistike, u shtrua në spital në Amsterdam për analiza. Ende nuk është konfirmuar nëse ajo ka rezultuar pozitive me virusin.
Një operacion i madh monitorimi është në zhvillim për të ndjekur 30 pasagjerët e anijes që zbritën më 24 prill në ishullin Saint Helena në Atlantikun Jugor dhe u kthyen në shtëpi në 12 vende të ndryshme. Autoritetet shëndetësore të OBSH-së po identifikojnë aktualisht personat që mund të kenë qenë në kontakt me këta pasagjerë, përfshirë gjatë fluturimeve komerciale.
Edhe pse situata është shqetësuese dhe mund t’u kujtojë udhëtarëve anijet turistike që u vendosën në karantinë në fillim të pandemisë së COVID-19, zyrtarët thonë se publiku i gjerë nuk ka arsye për panik.
“Ky nuk është koronavirus”, tha Dr. Maria Van Kerkhove, drejtuese për gatishmërinë dhe parandalimin e epidemive dhe pandemive në OBSH, gjatë një konference për shtyp më 7 maj. “Ky është një virus shumë ndryshe. Nuk është fillimi i një pandemie si COVID. Kemi të bëjmë me një shpërthim në një anije. Nuk përhapet në të njëjtën mënyrë si koronaviruset.”
Zyrtarët konfirmojnë se shpërthimi në anijen turistike lidhet me variantin e rrallë Andes të hantavirusit
“Specia e hantavirusit e përfshirë në këtë rast është virusi Andes”, tha drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Dr. Tedros Adhanom Ghebreyesus, në një konferencë për shtyp më 7 maj. Ky variant “gjendet në Amerikën Latine dhe është e vetmja specie e njohur që mund të transmetohet në mënyrë të kufizuar nga njeriu te njeriu”.
“Në shpërthimet e mëparshme të virusit Andes, transmetimi mes njerëzve është lidhur me kontakt të afërt dhe të zgjatur, veçanërisht mes anëtarëve të familjes, partnerëve intimë dhe personelit mjekësor”, tha Ghebreyesus. Sipas tij, ky model duket se po përsëritet edhe në shumicën e rasteve të raportuara në anijen turistike.
Për virusin Andes, periudha e inkubacionit, pra koha nga infektimi deri në shfaqjen e simptomave, zakonisht është nga dy deri në katër javë. Por simptomat mund të shfaqen edhe deri në gjashtë javë pas ekspozimit fillestar. “Duke pasur parasysh periudhën e inkubacionit, është e mundur që të raportohen raste të tjera”, tha Ghebreyesus.
Çfarë është saktësisht hantavirusi?
Hantavirusi është një sëmundje e bartur nga brejtësit, që mund të transmetohet te njerëzit dhe të shkaktojë probleme akute respiratore. Sipas CDC-së, sëmundja “fillimisht shkakton simptoma të ngjashme me gripin, të cilat mund të përparojnë në gjendje më të rënda, ku pacientët kanë vështirësi në frymëmarrje”. Ajo është fatale për gati katër në dhjetë persona që infektohen.
“Hantavirusi transmetohet më së shpeshti përmes kontaktit me urinën, jashtëqitjet dhe pështymën e brejtësve, në rast kafshimi”, thotë Dr. Carla McWilliams, drejtuese për sëmundjet infektive, cilësinë dhe sigurinë në Cleveland Clinic Weston Hospital. “Megjithëse janë raportuar raste të transmetimit nga njeriu te njeriu, kjo konsiderohet shumë e rrallë.”
Nuk ka trajtim specifik për hantavirusin, por spitalet mund të ofrojnë kujdes mbështetës, përfshirë asistencë në frymëmarrje dhe ventilim për simptomat e rënda respiratore. CDC thotë se nisja e trajtimit sa më herët është thelbësore për të rritur mundësitë e shërimit.
“Hantavirusi nuk përhapet nga persona pa simptoma, transmetimi kërkon kontakt të afërt dhe rreziku për publikun amerikan është shumë i ulët”, tha në një deklaratë më 6 maj Dr. Jay Bhattacharya, drejtor i përkohshëm i CDC-së.
Sa persona janë aktualisht të sëmurë me hantavirusin Andes?
Stjuardesa që po testohet në Amsterdam kishte pasur kontakt me një nga pasagjerët e anijes turistike që humbi jetën. Pasagjerja në fjalë ishte rasti i dytë i virusit i identifikuar në bord dhe kishte tentuar të hipte në një fluturim të KLM-së në Afrikën e Jugut, përpara se të konsiderohej shumë e sëmurë për të udhëtuar.
Autoritetet shëndetësore në Holandë prisnin të merrnin rezultatet e analizave të stjuardesës më vonë gjatë 7 majit. Nëse ajo rezulton pozitive me hantavirus, do të ishte rasti i parë i transmetimit të virusit te një person jashtë anijes turistike.
Zyrtarët holandezë të shëndetësisë po kontaktojnë gjithashtu të gjithë pasagjerët që ndodheshin në fluturimin e KLM-së nga Johanesburgu në Amsterdam (KL592 më 25 prill), për t’i paralajmëruar që të monitorojnë veten për simptoma të mundshme, tha KLM në një deklaratë.
Ndërkohë, një tjetër pasagjer i anijes ndodhet në terapi intensive në Afrikën e Jugut, pasi u sëmur në bord. Sipas OBSH-së, gjendja e pacientit po përmirësohet.
Një tjetër pacient me rast të konfirmuar të hantavirusit u identifikua nga autoritetet zvicerane më 6 maj. Ai ishte një burrë që kishte udhëtuar në segmentin e parë të kroçierës nga 1 deri më 24 prill. Aktualisht po trajtohet në një spital në Zyrih, ndërsa bashkëshortja e tij është vetëizoluar si masë paraprake, sipas Oceanwide Expeditions, kompania që zotëron anijen turistike.
Tre pacientë u evakuuan nga anija në mëngjesin e 6 majit dhe u dërguan në Holandë për “kujdes të specializuar dhe kontrolle të përshtatshme mjekësore”, sipas një përditësimi nga Oceanwide Expeditions. Dy prej tyre janë në gjendje të rëndë, ndërsa i treti nuk ka simptoma, por kishte pasur kontakt të afërt me një nga personat që humbën jetën.
Kush tjetër po monitorohet për raste të mundshme të hantavirusit Andes?
Të paktën shtatë pasagjerë që zbritën nga anija më 24 prill po monitorohen nga autoritetet globale shëndetësore për shenja të hantavirusit. Dy prej tyre janë shtetas britanikë që janë vetëizoluar në Mbretërinë e Bashkuar, sipas agjencisë kombëtare të sigurisë shëndetësore të vendit.
Të paktën tre udhëtarë që ndodheshin në bord po monitorohen edhe në SHBA, dy në Georgia dhe një në Arizona, raportuan autoritetet lokale të shëndetësisë.
Dy burra në Singapor, që kishin qenë gjithashtu në anije, po izolohen dhe po testohen për virusin, sipas Agjencisë së Sëmundjeve Ngjitëse të vendit.
Cili është përditësimi më i fundit për hantavirusin në bordin e MV Hondius?
Asnjë nga pasagjerët e mbetur në bord nuk ka simptoma, por të gjithëve u është kërkuar të qëndrojnë në kabinat e tyre ndërsa po kryhen dezinfektimi dhe masa të tjera të shëndetit publik. Dy mjekë specialistë të sëmundjeve infektive nga Holanda iu bashkuan anijes më 6 maj për të ndihmuar në masat parandaluese në bord.
Anija kishte qëndruar pranë Cabo Verde, në brigjet e Afrikës Perëndimore, por ishte planifikuar të nisej drejt Ishujve Kanarie të mërkurën. Pasi anija të mbërrijë në Ishujt Kanarie më 10 maj, autoritetet spanjolle do të kryejnë një hetim të plotë epidemiologjik dhe do të fillojnë riatdhesimin e udhëtarëve që konsiderohen të aftë për t’u kthyer në shtëpi. Megjithatë, OBSH-ja ende po harton planin për kthimin e sigurt të të gjithë pasagjerëve.
A nisi shpërthimi i hantavirusit në anijen turistike?
Zyrtarët ndërkombëtarë të shëndetësisë besojnë se infektimi fillestar me hantavirus ndodhi përpara se pasagjerët të hipnin në anije në Argjentinë më 1 prill. Dy pacientët e parë të infektuar ishin një çift holandez, të martuar, që kishin udhëtuar në Argjentinë, Kili dhe Paraguaj në një tur vëzhgimi shpendësh, duke vizituar zona ku dihet se jetojnë brejtës që mbartin hantavirusin Andes, thanë zyrtarët e OBSH-së.
Që prej atij momenti, virusi duket se është përhapur te kontaktet e afërta në bord dhe te të paktën një anëtar i stafit mjekësor të anijes.
A duhet të shqetësohen udhëtarët për përhapjen e mëtejshme të hantavirusit?
“Edhe pse ky është një incident serioz, OBSH vlerëson se rreziku për shëndetin publik është i ulët”, tha Ghebreyesus.
Kontakti i afërt, dhe jo ai rastësor, duket se është një faktor i rëndësishëm në transmetimin nga njeriu te njeriu, vëren Dr. Daniel Kuritzkes, mjek i lartë në Divizionin e Sëmundjeve Infektive në Mass General Brigham. Ai i referohet një studimi që zbuloi se pikëzat respiratore, dhe jo aerosolet, ka të ngjarë të jenë shkaku i rasteve të rralla të transmetimit mes njerëzve.
“Kjo do të thotë se pikëzat bien shpejt dhe kanë më pak gjasa të infektojnë persona që thjesht ndodhen në të njëjtën dhomë”, thotë Kuritzkes.
Në përgjithësi, ekspertët presin që situata aktuale të mbetet kryesisht e kufizuar te pasagjerët e anijes turistike dhe kontaktet e tyre të afërta. Në raste të mëparshme të transmetimit të hantavirusit nga njeriu te njeriu, karantina ka ndihmuar në kontrollin e shpejtë të shpërthimit, sipas Kuritzkes.
“Ka shumë pak gjasa që shpërthimi aktual të çojë në një epidemi më të gjerë”, thotë ai.
A duhet të marrin udhëtarët masa të veçanta paraprake nëse vizitojnë Argjentinën ose Amerikën e Jugut?
Udhëtarët nuk kanë arsye të anulojnë udhëtimet drejt Amerikës së Jugut apo të marrin masa shtesë përtej kujdesit të zakonshëm shëndetësor.
“Nuk ka arsye që njerëzit të shqetësohen për udhëtimet në Argjentinë, por duhet të tregojnë kujdes kur vizitojnë vende ku mund të ketë fole brejtësish”, thotë Kuritzkes. “Personat që qëndrojnë në hotele të zakonshme, ushqehen në restorante dhe vizitojnë atraksione tipike turistike ka shumë të ngjarë të kenë rrezik zero ose minimal për t’u infektuar me hantavirus.”
McWilliams këshillon që udhëtarët të vazhdojnë të ndjekin rregullat bazë të shëndetit publik, si shmangia e zonave me higjienë të dobët dhe vendeve ku ka prani të dukshme brejtësish.
“Për parandalimin, ne e dimë se praktikat e mira sanitare, sistemet e përshtatshme të ventilimit dhe garantimi që brejtësit të zhduken dhe eliminohen janë thelbësore për të parandaluar çdo transmetim”, thotë ajo.
Autoritetet shëndetësore dyshojnë se rastet e para janë infektuar në Amerikën e Jugut. Megjithatë, nuk ka arsye për panik mes udhëtarëve në rajon.
“Është e rëndësishme të kihet parasysh se nuk ka prova për një shpërthim të përgjithshëm të hantavirusit në Argjentinë, ndaj nëse ekspozimi fillestar i personave të parë të sëmurë ka ndodhur vërtet në tokë, atëherë kemi të bëjmë me një ngjarje shumë të pazakontë”, thotë Kuritzkes.
McWilliams shton se pasagjerët e kroçierave duhet të ndjekin gjithmonë praktikat më të mira të kujdesit shëndetësor në bord. Udhëtarët duhet të ruajnë higjienën e duarve duke i larë shpesh, sidomos para vakteve, dhe të kërkojnë menjëherë ndihmë mjekësore nga mjeku i anijes nëse fillojnë të ndihen keq.
“Mendoj se industria e kroçierave ka bërë përparime të mëdha dhe në përgjithësi vendos shumë masa mbrojtëse për të garantuar udhëtime të sigurta për pasagjerët”, thotë McWilliams.
Burimi: CNN Travel News-A.D
