Ekspertë të politikës së jashtme nga radhët e Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë kanë bërë thirrje për një vlerësim serioz të propozimit të presidentit rus, Vladimir Putin, i cili sugjeron që ish-kancelari gjerman, Gerhard Schröder të luajë rolin e ndërmjetësit në negociatat për Ukrainën.
Sipas zyrtarëve gjerman, Evropa nuk duhet të përjashtohet nga procesi negociues, duke nënvizuar rëndësinë e përfaqësimit të saj në tryezë.
Megjithatë, reagimet nga Bashkimi Evropian kanë qenë kritike.
Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, e hodhi poshtë këtë ide, duke theksuar se nuk është e pranueshme që Rusia të përcaktojë përfaqësuesin e Evropës në negociata.
Sipas Kallas, lidhjet e mëparshme të Schröder-it me kompani shtetërore ruse krijojnë konflikt interesi, duke e bërë atë një figurë të papërshtatshme për një rol të tillë ndërmjetësimi.
“Së pari, nëse i japim Rusisë të drejtën të emërojë një negociator në emrin tonë, kjo nuk do të ishte shumë e mençur. Dhe së dyti, mendoj se Gerhard Schroeder ka qenë një lobist i nivelit të lartë për kompanitë shtetërore ruse. Pra, është e qartë pse Putini dëshiron që ai të jetë personi i duhur, në mënyrë që në fakt, ai të ulet në të dyja anët e tryezës.”
Ndërkohë, qeveria gjermane ka reaguar me skepticizëm ndaj propozimit, duke theksuar se një test i parë i seriozitetit nga ana e Rusisë do të ishte zgjatja e armëpushimit./mxh
