Diskutimet për diferencën në moshë në një çift nuk mbarojnë kurrë. Të gjithë kanë një opinion për çfarë “duhet” dhe “s’duhet”. Por çfarë ndodh kur këtë pyetje nuk e zgjidhim me intuitë, por me të dhëna? Dy studime të mëdha janë përpjekur t’i japin një përgjigje më konkrete kësaj dileme.
Studimi i parë, i publikuar në Personal Relationships, analizoi më shumë se 35,000 çifte nga 29 vende të ndryshme. Një nga gjetjet kryesore ishte se preferencat për diferencën në moshë nuk janë fikse. Ato ndryshojnë me kohën dhe varen shumë nga faza e jetës ku ndodhen partnerët në momentin që nisin lidhjen.
Me fjalë të thjeshta: ajo që të duket “normale” në të 20-at, mund të të duket komplet ndryshe në të 40-at.
Por studimi që e bën këtë temë edhe më konkrete vjen nga Journal of Population Economics. Ai përqendrohet te jetëgjatësia e lidhjeve dhe arrin në një përfundim shumë të qartë: çiftet me diferencë moshe tre vite ose më pak kanë më shumë gjasa të qëndrojnë bashkë në kohë.
Sipas të njëjtit studim, sa më e madhe diferenca, aq më shumë rriten vështirësitë – sidomos kur bëhet fjalë për përballimin e sfidave të jetës. Çiftet me diferencë të madhe moshe rezultojnë më pak rezistente ndaj krizave, krahasuar me ata që janë afërsisht në të njëjtën moshë.
Një tjetër detaj interesant? Diferenca gjinore në mënyrën si e shohim këtë temë.
Te burrat, preferenca ndryshon me kalimin e viteve: sa më shumë rriten në moshë, aq më shumë priren drejt partnereve më të reja. Madje, studiuesit vërejnë se për çdo pesë vite që kalojnë, mosha “ideale” e partneres zbret me rreth një vit.
Tek gratë, panorama është ndryshe. Diferenca ideale në moshë është më e vogël dhe gjithnjë e më shumë vihet re një prirje drejt partnerëve të së njëjtës moshë. Ideja tradicionale e burrit më të madh duket se po humbet terren.
Çfarë do të thotë kjo për ty? Askush nuk po thotë që një lidhje me 4 apo 6 vite diferencë është e prirur të dështojë. Por të dhënat tregojnë një model: sa më afër në moshë, aq më shumë rriten shanset për stabilitet dhe mbështetje reciproke.
Tekefundit, ndoshta nuk është thjesht çështje numrash. Është çështje fazash të jetës, ritmesh të përbashkëta dhe mënyrës si dy njerëz rriten bashkë.
Por nëse do një përgjigje të shkurtër nga shkenca: dashuria funksionon pak më mirë kur mosha nuk është shumë larg./mxh
