Last Updated on 12/05/2026 by EL
Ish-zëdhënësja e Volodymyr Zelenskyt ka rrëfyer një anë tjetër të presidentit të Ukrainës, një version të errët të njeriut pas fikjes së kamerave.
Yulia Mendel punoi për të dy vite, rrëfen ajo në podcastin e Tucker Carlson, konkretisht gjatë 2019-2021. Ajo thotë se e fitoi punën duke konkurruar mes 4 mijë aplikantëve dhe asokohe, Zelensky gëzonte mbështetjen dhe besnikërinë e saj të pakufishme.
Por, nënvizon Mendel, arsyeja pse ajo po thyen heshtjen, është se Zelensky është kthyer në një pengesë për paqen në Ukrainë dhe mbi të gjitha, është një “e keqe e fshehtë” që shkatërron gjithçka.
-Si përfunduat duke punuar për të?
Yulia Mendel: Zelensky e shpalli vendin e punës në Facebook dhe të gjithë filluan të aplikonin. Në fillim nuk doja të aplikoja, sepse mendoja se ai do të merrte dikë përmes nepotizmit, por kishte një aplikim të hapur dhe unë konkurrova mes 4 mijë aplikantëve. Nuk është shaka. Pastaj më duhej të provoja se mund ta bëja punën dhe se ai mund të kishte besim tek unë. Por po, gjetëm gjuhën e përbashkët dhe mendoj se kam qenë shumë besnike ndaj tij. E kam mbështetur dhe e kam mbështetur edhe në vitin 2022 kur Rusia nisi pushtimin në shkallë të gjerë, ashtu si miliona ukrainas. Isha mirënjohëse që ai qëndroi në vend. Prandaj është kaq e çuditshme dhe e dhimbshme për mua të jem këtu dhe të tregoj se kush është ai në të vërtetë. Nuk kam hakmarrje personale, por besoj se ai është një nga pengesat më të mëdha për paqen sot. Prandaj doja t’u tregoja njerëzve se kush është ai.
-Kush është ai?
Yulia Mendel: Së pari, ai nuk është personi që shihni në kamera. Është një person krejt ndryshe. Ai ndryshon maskë gjatë gjithë kohës. Është emocionalisht i pakontrollueshëm.
-Emocionalisht i pakontrollueshëm?
Yulia Mendel: Po. Nuk i kontrollon emocionet e tij. Shpesh është histerik dhe mendon se çdo person është i zëvendësueshëm. Nuk ka empatinë që shtiret se ka. Është një aktor jashtëzakonisht i talentuar dhe kjo na solli shumë mbështetje në vitin 2022. Por aktrimi i tij nuk ka përmbajtje dhe gjithçka që thotë është shumë e shkëputur nga realiteti. Shumica e gjërave që thotë janë ose manipulim, ose fakte të nxjerra jashtë kontekstit, ose gënjeshtra të pastra. Miliona njerëz ende besojnë se mbështetja për Zelenskyn do të thotë mbështetje për Ukrainën, por sot situata është ndryshe. Dua të them se nuk jam këtu për të justifikuar pushtimin rus. Nuk jam këtu për të justifikuar Putinin. Ajo që ushtria ruse po bën në Ukrainë është krim kundër njerëzimit. Por kjo luftë nuk është më bardhë e zi. Është errësirë dhe edhe më shumë errësirë. Ne e shohim Putinin si të keqen, por edhe Zelensky është një e keqe. Vetëm se është një e keqe e fshehur. Në kamera luan rolin e një arushi të butë, por kur fiket kamera, është një ari i egër dhe shkatërron njerëzit. Është pothuajse surreale të kujtosh se pothuajse çdo lider dhe delegacion perëndimor që vinte në Ukrainë para luftës e trajtonte Zelenskyn si një fillestar politik. Ata mendonin se ishte pak i arsimuar, i pakualifikuar. Por brenda natës ai u kthye në fytyrën e madhe të demokracisë. Duket sikur Perëndimi krijoi një mit, ra vetë në të dhe nuk po sheh faktin se, pas retorikës heroike të Zelenskyt, ai vazhdon të grumbullojë pushtet. Dhe nuk kam frikë ta them se ai po shkatërron pikërisht njerëzit që pretendon se po shpëton. Është një deklaratë e fortë, e di. Por besoj se njerëzit duhet të kuptojnë se, nëse duan të mbështesin Ukrainën, mënyra e vetme për ta bërë këtë sot është të shtyjnë për një marrëveshje paqeje. Kjo është e vetmja mënyrë që Ukraina të mbijetojë, sepse besoj se jemi në prag të zhdukjes. Dikush ende flet për edhe dy apo tre vite të tjera lufte, por kjo nuk përputhet më me shifrat, me demografinë, me asgjë, me gjithë vuajtjet që po ndodhin në vend.
Mendel pretendon se Zelensky është i përfshirë në skemat e pastrimit të parave.
“Kur flas për Zelenskyn, flas si një person nga brenda sistemit. Kam folur me shumë njerëz që kanë punuar për të ose vazhdojnë të punojnë për të. Dhe për të qenë e qartë, besoj se ai qëndron pas shumë skemave të pastrimit të parave. Një nga historitë është se kam një mik që ishte në listën e ngushtë për postin në Ministrinë e Politikave Sociale gjatë pushtimit në shkallë të gjerë. Atij iu tha se ishte një nga pesë kandidatët dhe se do të intervistohej nga Zelensky dhe zoti Yermak, shefi i stafit të presidentit Zelensky. Ai tha se gjatë intervistës iu kërkua të mendonte skema për pastrim parash që do të financoheshin nga Ministria e Politikave Sociale”, përfundon ajo.
/et
