Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka bërë thirrje për një rishikim të thellë të marrëdhënieve mes Afrikës dhe Evropës, duke kërkuar kalimin nga modeli tradicional i ndihmave drejt një partneriteti të barabartë të bazuar në paqe, prosperitet dhe pavarësi strategjike.
Duke folur në samitin “Africa Forward” në Nairobi, Macron tha se Afrika po synon sovranitet dhe zhvillim afatgjatë, ndërsa interesat e Evropës dhe Afrikës janë të ndërlidhura. Sipas tij, një partneritet i fortë mes dy kontinenteve mund të ndihmojë në rindërtimin e rendit shumëpalësh global, i cili sipas tij është dobësuar nga tensionet gjeopolitike dhe krizat ekonomike.
Macron theksoi se epoka e ndihmës tradicionale po merr fund, duke përmendur se disa vende të veriut po ulin fondet e zhvillimit për arsye buxhetore dhe politike. Ai tha se kjo realitet kërkon një qasje të re dhe më të qartë në marrëdhëniet Veri–Jug.
Presidenti francez shtoi se Franca dhe Evropa nuk synojnë të dominojnë burimet strategjike si mineralet e rralla apo të imponojnë zgjidhje të sigurisë në Afrikë. Ai theksoi se suksesi i Afrikës në fusha si inteligjenca artificiale, bujqësia dhe industria është në interes të përbashkët, pasi ndihmon në zhvillimin global dhe ul migracionin e detyruar.
Macron nënvizoi se prosperiteti i Afrikës lidhet drejtpërdrejt me stabilitetin botëror, duke kërkuar një “zgjim kolektiv” dhe një partneritet të bazuar në respekt dhe barazi mes palëve.
Samiti “Africa Forward” mblodhi në Kenia liderë afrikanë dhe evropianë për të diskutuar investimet, sigurinë, ndryshimet klimatike dhe reformat në institucionet ndërkombëtare./mxh
