Në Londër, kryeministri britanik Keir Starmer po përballet me kritika të forta nga qytetarët, pas presionit në rritje për dorëheqje pas rezultateve të dobëta në zgjedhjet lokale dhe tensioneve brenda Partisë Laburiste.
Studenti 21-vjeçar Riyadh Rehman tha se Starmer nuk përfaqëson mjaftueshëm vlerat e majta që presin votuesit e rinj, ndërsa disa e lidhin pakënaqësinë edhe me qëndrimet e tij politike dhe çështjet gjeopolitike.
Nga ana tjetër, zyrtari i imigracionit Geoffrey Worsdell tha se kryeministri është përpjekur të mbajë një qasje të moderuar për të kënaqur të gjitha palët, por sipas tij ka mbajtur nën kontroll krahun më radikal të partisë.
Një tjetër qytetare, Nicky Buckley, tha se Starmer po përdoret si “shënjestër e lehtë” për problemet politike në vend, ndërsa shtoi se çdo lider i ri do të përballej me të njëjtat vështirësi.
Ndërkohë, disa qytetarë shprehën skepticizëm të plotë ndaj politikës, duke e konsideruar atë të shkëputur nga problemet e përditshme të njerëzve.
Këto reagime vijnë në një kohë kur Starmer, i cili ka qenë në detyrë për më pak se dy vjet, po përpiqet të stabilizojë qeverinë e tij pas humbjeve të fundit elektorale. Ai ka deklaruar se do të vazhdojë të qeverisë dhe të zbatojë programin e tij, pavarësisht thirrjeve për dorëheqje dhe krizës brenda partisë./mxh
