Mbretëresha e Britanisë, Camilla, ka pritur në rezidencën mbretërore Clarence House në Londër specialistë të trajnuar për zbulimin e kancerit, së bashku me qentë e tyre, në një aktivitet demonstrues të organizuar nga organizata bamirëse “Medical Detection Dogs”.
Gjatë pritjes të martën (12 maj), Mbretëresha Camilla u njoh me dy labradorë të trajnuar posaçërisht: Floren, 11 vjeç, i aftë për të zbuluar kancerin e prostatës, dhe Jodie, 9 vjeçe, e trajnuar për të identifikuar kancerin e zorrës së trashë.
Në demonstrim, qentë u testuan përmes nuhatjes së mostrave biologjike, përfshirë mostra urine, duke treguar aftësitë e tyre të veçanta në zbulimin e sëmundjeve.
Organizata “Medical Detection Dogs” trajnon qen si për të ndihmuar pacientët në paralajmërimin e ngjarjeve mjekësore, ashtu edhe për të identifikuar aromat specifike të disa llojeve të kancerit dhe sëmundjeve të tjera.
Sipas të dhënave të organizatës dhe studimeve shkencore në Britani, qentë kanë treguar potencial në zbulimin e disa llojeve të kancerit, megjithëse saktësia e tyre mbetet ende objekt debati në komunitetin mjekësor.
Mbretëresha Camilla, e cila është patron e kësaj organizate, ka shprehur mbështetjen e saj për punën e tyre në përdorimin e qenve në ndihmë të diagnostikimit të hershëm të sëmundjeve./mxh
