Last Updated on 05/11/2026 by EL
Policia e Malit të Zi dhe ajo e Shqipërisë do të kenë mundësinë të vijojnë ndjekjet gjatë aksioneve edhe përtej kufirit, sipas një marrëveshjeje të nënshkruar mes dy vendeve.
Protokolli i nënshkruar më katër nëntor, do të rregullojë në detaje mënyrën e zhvillimit të ndjekjes ndërkufitare, përgjegjësitë e punonjësve të policisë, kuadrin territorial dhe kohor të këtyre veprimeve, si dhe trajtimin e personave të kapur apo të privuar nga liria gjatë ndjekjes.
Qëllimi, siç thuhet në dokument, është përmirësimi i bashkëpunimit operacional midis autoriteteve policore të të dyja vendeve, me qëllim luftimin më efektiv të krimit ndërkufitar, migracionit të paligjshëm dhe kërcënimeve të tjera ndaj sigurisë publike.
Protokolli lejon vazhdimin e ndjekjes përtej kufijve shtetërorë në raste urgjente, nën kushte të përcaktuara qartë dhe në përputhje me legjislacionin e shtetit në territorin e të cilit zhvillohet ndjekja.
Bashkëpunimi do të përfshijë ndjekjen e personave të kapur duke kryer vepra penale për të cilat mund të kërkohet ekstradimi, si dhe të personave që janë arratisur nga paraburgimi ose nga vuajtja e dënimit me burgim.
Gjithashtu, parashikohet bashkëpunim në ndjekjet që kryhen për të mbrojtur sigurinë publike, në rastet e shmangies së kontrollit policor ose doganor, si dhe shkëmbimi i informacionit, analizat e përbashkëta dhe ushtrimet për të përmirësuar efikasitetin operacional.
Dokumenti parashikon gjithashtu mbrojtjen dhe shkëmbimin e të dhënave personale, në përputhje me legjislacionin kombëtar dhe detyrimet ndërkombëtare të të dyja vendeve.
Protokolli bazohet në Marrëveshjen midis Këshillit të Ministrave të Shqipërisë dhe Qeverisë së Malit të Zi për Bashkëpunimin në Luftën kundër Krimit të Organizuar, Trafikimit të Paligjshëm dhe Aktiviteteve të Tjera Kriminale, të vitit 2003, si dhe në Konventën për Bashkëpunimin Policor në Evropën Juglindore.
Dokumenti thekson se zbatimi i protokollit nuk do të kërkojë fonde shtesë nga buxheti i Malit të Zi, pasi secila palë do të përballojë kostot e autoriteteve të saj kompetente gjatë zbatimit të tij./et
