Ministrja e Shëndetësisë e Holandës, Sophie Hermans, ka deklaruar në parlamentin holandez se stafi i spitalit Radboud UMC në Nijmegen nuk ka ndjekur plotësisht protokollet më të rrepta gjatë trajtimit të një pacienti me hantavirus.
Sipas saj, incidenti ka ndodhur gjatë marrjes së gjakut dhe trajtimit të urinës së pacientit, i cili aktualisht po kurohet në spital. Për këtë arsye, 12 punonjës shëndetësorë janë vendosur në karantinë si masë parandaluese për një periudhë gjashtëjavore.
Hermans theksoi se rreziku i infektimit për stafin është i ulët, por masat janë marrë për shkak të seriozitetit të virusit dhe për të shmangur çdo përhapje të mundshme.
Ajo shtoi se situata me hantavirusin nuk duhet krahasuar me COVID-19, duke theksuar se bëhet fjalë për një virus tjetër që nuk përhapet lehtë nga njeriu te njeriu, por vetëm në raste kontakti të afërt dhe intensiv.
Ministrja u shpreh e sigurt se Holanda do ta mbajë situatën nën kontroll, ndërsa autoritetet shëndetësore po ndjekin protokollet e nevojshme për menaxhimin e rastit.
Ndërkohë, spitali Radboud UMC ka bërë të ditur se do të hetojë në detaje ngjarjen për të nxjerrë mësime dhe për të parandaluar raste të ngjashme në të ardhmen.
Rasti vjen në një kohë kur autoritetet ndërkombëtare shëndetësore po monitorojnë përhapjen e hantavirusit të lidhur me një anije turistike, ndërsa Organizata Botërore e Shëndetësisë ka raportuar disa raste të konfirmuara në vende të ndryshme./mxh
