Dy punonjës të shërbimit të emergjencës humbën jetën gjatë një sulmi izraelit në jug të Libanit, pasditen e sotme, ndërsa një tjetër mbeti i plagosur, njoftoi Ministria libaneze e Shëndetësisë në Bejrut, pavarësisht armëpushimit mes Izraelit dhe qeverisë libaneze.
Ushtria izraelite tha, në përgjigje të interesimit të mediave, se po heton pretendimet.
Në të kaluarën, ushtria izraelite ka akuzuar Hezbollahun, të mbështetur nga Irani, se po përdor ambulancat dhe ekipet mjekësore, si mbulim për transportin e armëve dhe luftëtarëve.
Këto pretendime nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur për momentin.
Hezbollahu nuk e ka nënshkruar armëpushimin mes dy vendeve fqinje.
Ndërkohë, ushtria izraelite raportoi në mbrëmje sulme me dronë nga Hezbollahu.
Sipas saj, disa dronë u interceptuan përpara se të hynin në territorin izraelit. Sirenat e alarmit u aktivizuan në veri të Izraelit.
“Milicia shiite libaneze lëshoi gjithashtu disa predha, përfshirë dronë me lëndë shpërthyese, ndaj ushtarëve izraelitë në jug të Libanit”, tha ushtria izraelite. Nuk janë raportuar të plagosur.
Marrëveshja aktuale e armëpushimit i lejon Izraelit të ndërmarrë masa mbrojtëse kundër sulmeve të planifikuara, të afërta ose në zhvillim, por ndalon operacionet sulmuese në territorin libanez.
Izraeli dhe Hezbollahu akuzojnë njëri-tjetrin për shkelje të armëpushimit, ndërsa qeveria e Libanit nuk konsiderohet palë ndërluftuese në konflikt./mxh
