Politologu Afrim Krasniqi tha sot se shpallja ‘non grata’ e individëve të caktuar, zyrtarë të lartë ose emra të politikës, është e drejtë që i takon vetëm Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
I ftuar në A2 CNN, Krasniqi u shpreh se heqja e kësaj mase nuk ndodh përmes parave apo përmes korruptimit, siç ndodh me politikanët shqiptarë.
Politologu tha se nëse bëhet një listë globale të individëve që i është hequr “non grata”, janë katër raste dhe të gjitha janë raste gjeopolitike.
Më tej, Krasniqi shtoi se në vendet përkatëse ka ndodhur diçka e madhe që është hequr kjo masë, ka ndryshuar një raport politik dhe prandaj është rishikuar nga Presidenti pasues, gjë që sipas tij, nuk mund të ndodhet me rastet në Shqipëri.
“Vendimi për non gratën është vendim politik dhe është e drejta e SHBA-së, në bazë të dekretit të Presidentit të asaj periudhe, për ta aplikuar dhe e ka aplikuar vazhdimisht. Pastaj, këto historitë e Tiranës që dikush ka gjetur para dhe gjen dikë për të paguar para. Ngaqë politikanët tanë janë të korruptuar, mendojmë që edhe amerikanët janë të korruptuar. Nëse bëjmë një listë globale të individëve që i është hequr “non grata”, janë 4 raste dhe të gjitha janë raste gjeopolitike. Do të thotë që në vendet përkatëse ka ndodhur diçka e madhe, ka ndryshuar një raport politik dhe prandaj është rishikuar nga Presidenti pasues. Shqipëria nuk është gjeopolitikë dhe nuk është aktor në një skenë të madhe botërore”,-tha Krasniqi./Mxh
