Ditën e sotme në Bankën e Shqipërisë u nënshkrua partneriteti i ri ndërmjet shtetit, sistemit bankar dhe sipërmarrjes shqiptare për Programin Kombëtar të Financimit të Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme (NVM) “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”, një nismë për të mbështetur bizneset shqiptare, për të nxitur zhvillimin ekonomik dhe për të krijuar më shumë mundësi për sipërmarrësit e e vegjël.
I pranishëm në ceremoninë e nënshkrimit ishte edhe kryeministri Edi Rama, i cili e cilësoi nismën si një hap të rëndësishëm për rritjen ekonomike dhe mbështetjen e bizneseve të vogla e të mesme.
Rama falënderoi bankat e nivelit të dytë dhe Bankën e Shqipërisë për bashkëpunimin në arritjen e marrëveshjes, ndërsa përmendi edhe vizitën e presidentes së Bankës Europiane të Investimeve në Shqipëri, duke e lidhur atë me mbështetjen për sipërmarrjen shqiptare.
Kreu i qeverisë u shpreh se ka parë nga afër sipërmarrje të shqiptarëve të kthyer nga emigracioni, të cilët kanë investuar në komunitetet e tyre dhe kanë hapur vende pune, por që sipas tij janë përballur me vështirësi në sigurimin e financimit.
“Në fund të çdo bisede problemi ka qenë financimi i aksesueshëm, në pamundësi për të marrë kreditë e zakonshme, që janë të papërballueshme për ta”, tha Rama.
Ai theksoi se projekti fillimisht nisi për sektorin e bujqësisë, por tashmë është zgjeruar në një program më të gjerë për mbështetjen e bizneseve të vogla dhe të mesme.
Sipas Ramës, bizneset do të kenë mundësi të aplikojnë për kredi me interesa 2 deri në 3%, ndërsa programi do të mbështetet edhe nga një garanci sovrane e shtetit shqiptar, që varion nga 30% deri në 70%.
Kryeministri deklaroi se volumi i kredive në Shqipëri është dyfishuar në pesë vitet e fundit.
“Pesë vite më parë kredia në Shqipëri ka qenë rreth 5 miliardë euro, sot është 10 miliardë euro. Kemi dyfishuar kapacitetin financues ekonomik të bankave të nivelit të dytë”, u shpreh ai.
Rama shtoi se kreditë e këqija kanë rënë ndjeshëm krahasuar me 10 vite më parë, kur sipas tij arrinin në 25% të totalit.
Ai u bëri thirrje bankave të tregohen më të hapura ndaj financimit të sektorit të bujqësisë dhe agroturizmit, duke theksuar se teknologjia dhe zhvillimi i sektorit kanë ulur riskun.
Po ashtu, Rama bëri të ditur se do të krijohet edhe një fond granti për të ndihmuar bizneset në hartimin e planeve të biznesit dhe në aplikimet për financim.
