Koloneli Hajro Limaj ka rrëfyer detaje të panjohura nga karriera e tij gjatë një interviste për Vizion Plus, duke treguar se në një periudhë të tensionuar politike në vend i është propozuar posti i ministrit të Brendshëm.
Sipas Limajt, propozimi ka ardhur nga kryeministri i atëhershëm Fatos Nano, menjëherë pas vrasjes së Azem Hajdarit dhe zhvillimeve të rënduara politike që pasuan ngjarjen.
Ai tha se është thirrur urgjentisht në Tiranë dhe ka marrë një mesazh për t’u paraqitur në zyrën e kryeministrit në orën 08:00.
“Zoti kolonel, nesër në orën 08:00 në zyrën time, Fatos Nano”, ka rrëfyer Limaj, duke shtuar se më pas është takuar me kryeministrin e asaj kohe në zyrën e tij.
Sipas tij, Nano i ka komunikuar nevojën për një ministër të Brendshëm “shumë të pastër”, në një moment të vështirë për vendin.
Limaj theksoi se, pavarësisht propozimit, nuk e ka pranuar përfshirjen në politikë, duke shtuar se nuk ka pasur ambicie për poste apo karrierë politike.
Limaj: Unë kam shumë dekorata. Po të ishte kohë e kaluar, mund të isha edhe hero populli. Unë s’kam luftuar as për hero, as për ministër. Më kanë thirrur për ministër dhe s’kam pranuar.
Ju kanë kërkuar që t’ju përfshijnë në politikë?
Limaj: Po. Kur u vra Azem Hajdari dhe ndodhi ajo ngjarja shumë e madhe, unë sapo kisha ikur nga zyra në Ankara. Më thanë: “Ka ardhur një urdhër, urgjentisht paraqitu në zyrë”, dhe thoshte: “Zoti kolonel, nesër në orën 08:00 në zyrën time, Fatos Nano”. U nisa, mbërrita në Rinas. Shkova te kryeministri, ai nga njëra anë kishte uiski, nga ana tjetër cigaren dhe kafen, dhe më thotë mua: “Dje kishim mbledhjen e qeverisë për situatën e vështirë që kemi. Na duhet një ministër i Brendshëm të jetë shumë i pastër.”/A.D
