Last Updated on 14/05/2026 by EL
Apeli i Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur këtë të enjte rikthimin në burg të ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, në lidhje me çështjen e inceneratorit të Tiranës.
Apeli la në fuqi vendimin e shkallës së parë për disa prej të pandehurve të tjerë, ndërsa për Lefter Kokën vendosi të ndryshojë pikën që kishte shuar masën “arrest në burg”, duke rikthyer kështu ish-ministrin në qeli. Sipas përllogaritjeve, Lefter Kokës i mbeten edhe 6 muaj burg për të vuajtur për çështjen e inceneratorit të Tiranës ndërsa Gjykata i la detyrë prokurorit të çështjes që të nxjerrë urdhrin e ekzekutimit të vendimit.
Sipas vendimit të shpallur nga Apeli i GJKKO-së, është hequr pika e dispozitivit që parashikonte shuarjen e masës së sigurisë “arrest në burg” për Lefter Kokën, masë e cila ishte caktuar më herët nga shkalla e parë.
Ky vendim erdhi pasi trupi gjykues i përbërë nga gjyqtaret Iliriana Olldashi, Nertina Kosova dhe Daniela Shirka shqyrtoi ankimin e disa të pandehurve, mes tyre edhe Lefter Kokës, si dhe ankimin e SPAK ndaj vendimit të dhënë më 16 prill 2025 nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë./et
