Last Updated on 15/05/2026 by Anisa
*Ministri Nufi prezanton prioritetet strategjike të mbrojtjes: Fokusi në modernizimin dhe Industrinë e Mbrojtjes*
Ministri i Mbrojtjes, z. Ermal Nufi prezantoi në një konferencë për shtyp me përfaqësues të medias, prioritetet strategjike dhe angazhimet kryesore të Ministrisë së Mbrojtjes në fushën e sigurisë kombëtare, modernizimit të Forcave të Armatosura dhe menaxhimit të emergjencave civile.
Në prani edhe të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Gjenerallejtënant Arben Kingji; Drejtorit të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako; si dhe Administratorit të Ndërmarrjes Shtetërore, Ardi Veliu, Ministri Nufi theksoi se Shqipëria mbetet një aleat i palëkundur i NATO-s dhe një partner aktiv në sigurinë rajonale dhe ndërkombëtare.
Ai nënvizoi se Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë aktualisht kontribuojnë me rreth 250 efektivë në misione dhe operacione jashtë vendit në kuadër të NATO-s, Bashkimit Evropian dhe OKB-së.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua modernizimit të Forcave të Armatosura, ku prioritet mbeten investimet në sistemet e mbrojtjes ajrore, teknologjitë dronë dhe kundër-dronë, mbrojtjen kibernetike, fuqinë e zjarrit të artilerisë, mjetet taktike dhe sistemet moderne të komunikimit.
“Padyshim, që modernizimi i Forcave tona të Armatosura mbetet një nga prioritetet strategjike. Investimet janë përqendruar në kapacitete me ndikim të drejtpërdrejtë operacional, në përputhje me objektivat e NATO-s dhe nevojat e sigurisë kombëtare”, u shpreh ministri i Mbrojtjes, sipas të cilit, ky proces po zhvillohet në bashkëpunim të ngushtë me aleatët tanë në NATO dhe partnerët strategjikë.
Në kuadër të zhvillimit të industrisë së mbrojtjes, Ministri Nufi vlerësoi marrëveshjen strategjike mes kompanisë shtetërore “Kayo” dhe kompanisë italiane “Fincantieri”, e cila synon krijimin e një kantieri të ri detar në Pashaliman për prodhimin e mjeteve lundruese. Projekti parashikon krijimin e rreth 400 vendeve të reja të punës dhe zhvillimin e kapaciteteve teknologjike në vend.
“Ky partneritet hap rrugën për prodhimin në Shqipëri të mjeteve lundruese detare, si për nevojat kombëtare ashtu edhe për tregjet ndërkombëtare. Projekti parashikon: krijimin e një kantieri të ri në Pashaliman; punësimin e rreth 400 qytetarëve; zhvillimin e aftësive teknologjike dhe profesionale të të rinjve dhe kthimin e Shqipërisë në një bazë të rëndësishme europiane për ndërtimin e anijeve të vogla dhe të mesme. Ky është një investim me rëndësi strategjike, jo vetëm për mbrojtjen, por edhe për zhvillimin ekonomik dhe industrial të vendit”, nënvizoi Ministri i Mbrojtjes.
Ministri Nufi evidentoi gjithashtu rritjen e ndjeshme të interesit të të rinjve për t’iu bashkuar Forcave të Armatosura. Sipas të dhënave të fundit, rekrutimet janë rritur me rreth 90% gjatë dy viteve të fundit, ndërsa pjesëmarrja e grave në fazat e rekrutimit arrin në 12–13%.
Në prag të sezonit veror, Ministri i Mbrojtjes prezantoi edhe masat e ndërmarra për përballimin e emergjencave civile. Ai bëri të ditur se janë forcuar strukturat në nivel vendor, është rritur koordinimi ndërinstitucional dhe janë shtuar kapacitetet njerëzore e teknike për reagim ndaj situatave emergjente. Gjithashtu, fondi për mbrojtjen civile është rritur nga 800 milionë lekë në vitin 2025 në 1 miliard lekë për vitin 2026.
Në përfundim të konferencës, Ministri Nufi ritheksoi angazhimin e Ministrisë së Mbrojtjes për transparencë, komunikim të vazhdueshëm me publikun dhe forcim të mëtejshëm të kapaciteteve mbrojtëse të vendit./kb
