Në botën e diplomacisë kineze, një nga armët më të forta të “fuqisë së butë” mbetet kuzhina tradicionale. Për shefin ekzekutiv të restorantit Yangzhou Banquet, Luo Chenglin, gatimi për liderët botërorë është më shumë sesa ushqim — është një mënyrë për të prezantuar kulturën dhe traditat kineze para botës.
31-vjeçari, ekspert i kuzhinës tradicionale Huaiyang, ka gatuar për delegacione diplomatike nga Japonia dhe Australia, ndërsa kolegë të tij kanë qenë pjesë e banketit shtetëror që presidenti kinez Xi Jinping organizoi për Donald Trump në vitin 2017.
Sipas Luo, kuzhina Huaiyang njihet për shijet e buta, teknikën e rafinuar të prerjes dhe përdorimin e përbërësve sezonalë, duke qenë prej dekadash pjesë e darkave zyrtare shtetërore të Kinës. Ai thekson se gatimet përshtaten edhe për shijet ndërkombëtare, duke shmangur ushqimet shumë pikante apo porcionet e mëdha.
“Ne kombinojmë stilin perëndimor të servirjes me shijet tradicionale kineze, në mënyrë që të huajt të përjetojnë thelbin e kuzhinës sonë,” u shpreh shefi i kuzhinës për Reuters.
Një nga aftësitë më të veçanta të kuzhinës Huaiyang, sipas tij, është përpunimi perfekt i peshkut, ku hiqet çdo kockë apo pjesë e fortë, duke e bërë gatimin të lehtë për t’u konsumuar nga të ftuarit.
Gjatë vizitës së fundit të Trump në Pekin, presidenti Xi Jinping e shoqëroi homologun amerikan në Temple of Heaven, kompleksin historik mbi 600-vjeçar të njohur për arkitekturën tradicionale kineze pa përdorimin e gozhdëve. Për Luo, kjo mjeshtëri arkitekturore lidhet ngushtë me filozofinë e kuzhinës tradicionale kineze.
“Ashtu si arkitektura tradicionale, edhe gatimet tona janë kombinim ngjyrash, teknikash dhe harmonie, që krijojnë diçka elegante dhe të bukur,” tha ai.
Në darkën shtetërore të së enjtes, menuja përfshinte rosë të pjekur të Pekinit dhe brinjë viçi, në një përpjekje për t’iu përshtatur edhe preferencave të presidentit amerikan./mxh
