“Luftë” për këngën “DJ”? Rozana Radi dhe Rezarta Shkurta rikthehen në qendër të vëmendjes
Rozana Radi dhe Rezarta Shkurta janë rikthyer sërish në qendër të vëmendjes, duke i rikujtuar publikut dhe përplasjet e mëhershme mes tyre.
Së fundmi, “mollë sherri” është bërë kënga “DJ”, material i cili duket se do të risillet nga të dyja artistet.
Projekti muzikor me autorësi të Gent Lako është interpretuar rreth 20 vite më parë nga Rezarta Shkurta dhe konsiderohet ende sot një nga hitet më të njohura të saj.
Por në janar të këtij viti, DJ Iliano vendosi ta rikthente këngën në një version të ri, këtë herë në bashkëpunim me Rozana Radin. Madje, Rozana e performoi projektin edhe gjatë një koncerti në muajin shkurt, ndërsa në rrjet kanë qarkulluar edhe video nga performanca, gjë që duket se “i ka hedhur benzinë zjarrit”.
Teksa performanca e Rozanës bëhej virale, Selin dhe DJ Gimbo publikuan një video ku paralajmëruan një surprizë për ndjekësit dhe gjithçka lidhej pikërisht me këngën “DJ”. Në video shfaqej edhe Rezarta Shkurta, e cila u shpreh e emocionuar që kanë kaluar plot 20 vite që nga koha kur e interpretoi për herë të parë këtë projekt.
Kaq ka mjaftuar që në rrjet të nisin aludimet për një “luftë” të heshtur mes dy artisteve, të cilat duket se po sjellin paralelisht të njëjtën këngë në vëmendjen e publikut.
Ndërkohë, ditën e sotme, Rezarta Shkurta ka bërë edhe një reagim të tërthortë përmes rrjeteve sociale. Këngëtarja theksoi se kënga “DJ” është paguar nga motra e saj dhe jo nga ndonjë producent, duke lënë të kuptohet se projekti ka pasur një histori personale dhe investim personal pas tij.
Në të njëjtin postim, ajo u shpreh krenare që këngët e saj “i mbijetojnë kohës”, duke nënvizuar faktin se edhe pas dy dekadash vazhdojnë të rikthehen dhe të mbeten pjesë e diskutimeve muzikore./mxh
