Mbi 150 mijë dosje të pashqyrtuara vijojnë të rëndojnë sistemin gjyqësor në Shqipëri, ndërsa përballë këtij stoku alarmant, Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) ka vendosur t’u kërkojë ndihmë ekspertëve ndërkombëtarë për të gjetur zgjidhje.
Një ekspert i lartë nga Serbia, Dimitrije Sujeranoviç, pritet t’i bashkohet grupeve shqiptare të punës për të ndihmuar në evadimin e çështjeve gjyqësore, duke sjellë modele të ngjashme me ato të aplikuara në gjykatat e Selanikut dhe Athinës, ku ai ka qenë i angazhuar për menaxhimin e stokut gjyqësor.
KLGJ po shqyrton një sërë masash për të përshpejtuar proceset, mes tyre gjykimi i shpejtë, shmangia e trupave gjykuese me tre anëtarë për disa çështje, si dhe rritja e përdorimit të proceseve online. Gjithashtu, propozohet që kërkesat për uljen e dënimeve të trajtohen nga institucionet e vuajtjes së dënimit dhe jo nga gjykatat.
Por kjo qasje nuk po pritet mirë nga avokatët, të cilët e konsiderojnë të pamjaftueshme ndërhyrjen e ekspertëve të huaj.
“Absolutisht jo, duhet të mbushet gjyqësori me gjyqtarë dhe prokurorë. Nuk është histori vetëm e një eksperti”, shprehet avokatja Gëzime Buçi.
Në të njëjtën linjë është edhe avokatja Jilldiz Kastrati, e cila thekson se zgjidhjet duhet të gjenden brenda vendit. “S’më duket zgjidhje, kemi avokatë dhe juristë në Shqipëri”, shprehet ajo.
Ndërkohë, qytetarët vijojnë të përballen me vonesa të gjata në dyert e drejtësisë. Shumë prej tyre enden nëpër gjykata pa marrë përgjigje për fatin e çështjeve të tyre familjare apo civile.
Sipas të dhënave, në gjykatat e shkallës së parë një gjyqtar përballet mesatarisht me rreth 1 mijë dosje, ndërsa vetëm në Apelin e Juridiksionit të Përgjithshëm stoku ka arritur në rreth 55 mijë çështje, duke e kthyer mbingarkesën në një nga sfidat më të mëdha të sistemit të drejtësisë në vend./A.D
