Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Michel Tarran, ka theksuar rëndësinë e rolit të medias dhe gazetarisë gjatë një konference për mediat në Evropën Juglindore.
Ai u shpreh se gazetaria është një institucion kyç për transparencën në shoqëri dhe se duhet të forcohet llogaridhënia në këtë sektor.
“Më vjen mirë që shoh një grup pjesëmarrës këtu, gazetarë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe vendimmarrës. Tema e kësaj konference është në kohën e duhur, gazetaria është institucion ku duhet të jepet llogari,” tha ai.
Sipas ambasadorit, sfidat me të cilat përballet media sot janë të përbashkëta në Europë dhe më gjerë, përfshirë rënien e besimit te institucionet dhe korrupsionin, të cilat sipas tij ndikojnë drejtpërdrejt në shoqëri.
Ai theksoi nevojën për përmirësim të kuadrit ligjor, forcim të dialogut dhe mbështetje të lirisë së medias.
“Duhet të mbështesim lirinë e medias, duke përmirësuar kuadrin ligjor dhe duke nxitur dialogun. Siguria sot nuk është çështje territoresh, por hapësirash,” u shpreh ai.
Duke iu referuar Shqipërisë, Tarran vlerësoi se janë marrë disa masa për përmirësimin e kushteve të punës së gazetarëve, përfshirë edhe rritjen e transparencës mbi pronësinë e mediave dhe detyrimet ligjore.
“Komuniteti i medias në Shqipëri është aktiv. Zëri i tyre duhet të dëgjohet dhe ata të angazhohen,” tha ambasadori, duke shtuar se OSBE do të vijojë të mbështesë forcimin e rolit të gazetarëve dhe standardeve profesionale në media./A.D
