Presidenti i Hungarisë Tamas Sulyok, ka refuzuar thirrjet e kryeministrit të ri Peter Magyar për të dhënë dorëheqjen. Ai ka deklaruar në një intervistë të publikuar këtë të hënë se nuk ekziston asnjë arsye ligjore apo kushtetuese për largimin e tij nga posti.
Partia TISZA e Magyar-it fitoi bindshëm zgjedhjet e prillit, duke rrëzuar nga pushteti partinë Fidesz të ish-kryeministrit Viktor Orban pas 16 vitesh në qeveri. Qeveria e re ka premtuar reforma në sundimin e ligjit dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes Budapestit dhe Bashkimit Europian.
Duke e cilësuar rezultatin zgjedhor si “një votë për ndryshim regjimi”, Magyar ka shtuar presionin ndaj Sulyok dhe zyrtarëve të tjerë të emëruar gjatë qeverisjes së Orban-it, duke kërkuar dorëheqjen e tyre deri në fund të majit.
“Nuk ka aktualisht asnjë arsye ligjore apo justifikim kushtetues që mund të justifikojë dorëheqjen time”, tha Sulyok për portalin Index.hu.
“Unë i qëndroj besnik betimit tim dhe, për sa kohë ushtrimi i detyrës sime nuk bëhet i pamundur, synoj të përmbush mandatin që kam marrë”, shtoi ai.
Roli i presidentit në Hungari është kryesisht ceremonial, megjithatë Sulyok ka të drejtën të rikthejë ligjet në parlament për rishqyrtim ose t’i dërgojë ato në Gjykatën Kushtetuese, gjë që mund të pengojë reformat e qeverisë së re.
Magyar ka kërkuar largimin e Sulyok-ut dhe zyrtarëve të tjerë që ai i ka quajtur “kukulla” të sistemit të Orban-it, politikat e të cilit shpesh kanë sjellë përplasje me Bashkimin Europian dhe kanë bllokuar fondet evropiane për Hungarinë.
Në intervistën për Index.hu, Sulyok deklaroi se presidenti duhet të përfaqësojë unitetin kombëtar dhe kundërshtoi idenë se zgjedhjet përfaqësojnë një “ndryshim regjimi”, duke insistuar se bëhet fjalë vetëm për një ndryshim qeverie.
Nga ana tjetër, Magyar ka paralajmëruar se nëse Sulyok nuk jep dorëheqjen, shumica parlamentare e partisë së tij do të përdoret për të ndryshuar kushtetutën dhe legjislacionin, me qëllim largimin e presidentit nga detyra.
Në një reagim në Facebook pas intervistës së Sulyok, Magyar deklaroi se Hungaria ka nevojë për “një president që nuk i shërben asnjë kampi politik”, duke e quajtur sërish Sulyok-in “kukull të një sistemi të dështuar”.
“Duhet të largoheni! Dhe do të largoheni!”, shkroi ai./kb
