Përgatiti: Leonard Veizi
Në pranverën e vitit 325 pas Krishtit, Perandoria Romake ndodhej përballë një paradoksi historik. Nga njëra anë, ajo kishte dalë nga dekada luftërash civile dhe përçarjesh politike; nga ana tjetër, po përballej me një konflikt të ri, jo ushtarak, por teologjik. Krishtërimi, i cili vetëm pak vite më parë kishte qenë fe e përndjekur, po shndërrohej në një forcë të madhe shoqërore e politike. Pikërisht në këtë çast kritik, perandori Konstandini i Madh vendosi të ndërhyjë jo vetëm si sundimtar i perandorisë, por si arbitër i unitetit fetar.
Në muajin maj të vitit 325, ai thirri në qytetin e Nikeas, në Azinë e Vogël — pranë brigjeve të Bosforit dhe jo larg kryeqytetit të ardhshëm Kostandinopojë — atë që historia do ta njihte si Këshillin e Parë Ikumenik të Kishës së Krishterë. Fjala “ikumenik”, e përdorur nga historiani dhe peshkopi Eusebius i Cezareas, nënkuptonte “mbarë-botëror”, por në kuptimin e kohës ajo identifikohej me të gjithë hapësirën e Perandorisë Romake.
Konstandini kishte dërguar ftesa për rreth 1800 peshkopë të kishës së krishterë: afro 1000 nga provincat lindore dhe rreth 800 nga perëndimi. Megjithatë, rrugët e gjata, trazirat dhe vështirësitë e kohës bënë që në Nikea të mbërrinin vetëm rreth 300 peshkopë. Midis tyre ndodheshin edhe pesë përfaqësues nga Iliria, provinca prej nga kishte origjinën vetë perandori.
Sipas dëshmisë së Eusebiut në veprën “Historia e Kishës”, Konstandini u kujdes personalisht për organizimin e kuvendit. Ai u vuri në dispozicion peshkopëve një sallë madhështore, të denjë për rëndësinë e takimit. Në fillim të qershorit, perandori hyri ceremonialisht në mbledhje, i veshur me petkun purpur të sovranit romak, por me një sjellje të përmbajtur. Ai nuk u ul në fronin perandorak, por në një vend anësor, duke dashur të tregonte se në çështjet e besimit autoritetin kryesor e kishin peshkopët. Megjithatë, prania e tij e bënte të qartë se pas çdo vendimi qëndronte fuqia e shtetit romak.
Thelbi i debatit në Nikea ishte natyra e Jezu Krishti. Konflikti ishte ndezur nga prifti Ario i Aleksandrisë, i cili predikonte se Krishti nuk ishte i barabartë me Zotin Atë, por një krijesë e Tij. Ky interpretim, i njohur si arianizëm, kishte përçarë kishat lindore dhe rrezikonte të kthente krizën fetare në krizë politike.
Përballë Arios qëndronin peshkopë të tjerë, mes tyre edhe Athanasi i Aleksandrisë, të cilët mbronin idenë se Krishti ishte “i së njëjtës natyrë” me Atin hyjnor. Debatet zgjatën me javë të tëra. Në sallën e Nikeas nuk përplaseshin vetëm argumente teologjike, por edhe vizione për vetë unitetin e perandorisë.
Në fund, Këshilli miratoi formulimin që do të hynte në histori si “Besimi i Nikeas”. Në të shpallej se Krishti ishte “një substancë me Atin”, duke dënuar arianizmin si herezi. Ky vendim u bë themeli dogmatik mbi të cilin do të ndërtohej ortodoksia e krishterë për shekujt që do të vinin.
Por Nikea nuk u kufizua vetëm tek debati mbi Krishtin. Këshilli vendosi edhe rregulla të reja për organizimin e kishës. U njësuan praktika liturgjike dhe disiplinore në të gjithë perandorinë. Një nga vendimet më të rëndësishme ishte përcaktimi i datës së Pashkëve, duke e shkëputur kremtimin e tyre nga kalendari hebraik, me synimin për t’i dhënë krishtërimit identitet të veçantë dhe autonom.
Po ashtu, u vendos që lutjet e së dielës dhe gjatë periudhës së Pashkëve të kryheshin në këmbë dhe jo më në gjunjë, si simbol i ringjalljes dhe triumfit shpirtëror. Këshilli miratoi edhe një seri kanonesh që rregullonin jetën e klerit, disiplinën kishtare dhe raportet mes peshkopëve.
Jo të gjithë e pranuan vendimin. Disa peshkopë lindorë refuzuan të nënshkruanin formulën e Nikeas. Ata u përjashtuan nga Këshilli dhe, me urdhër të Konstandinit, u internuan në zona të largëta të Ilirisë. Kështu, për herë të parë në mënyrë të hapur, pushteti perandorak përdorej për të imponuar një vendim teologjik.
Pas Nikeas, marrëdhënia mes kishës dhe shtetit ndryshoi rrënjësisht. Konstandini, i cili më parë kishte legalizuar krishtërimin me Ediktin e Milanos në vitin 313, tashmë po vendoste një formë mbikëqyrjeje perandorake mbi kishën. Perandori nuk ishte bërë ende kreu fetar i saj, por ishte kthyer në garantin politik të unitetit të besimit.
Kjo ishte një kthesë epokale në historinë europiane. Nga fe e përndjekur në katakombe, krishtërimi po hynte në pallatet e pushtetit. Persekutimet e dikurshme po zëvendësoheshin nga privilegjet dhe mbrojtja shtetërore.
Konstandini i Madh vdiq në vitin 337. Vetëm pak dekada më vonë, në vitin 380, perandori Teodosi I do ta shpallte krishtërimin fe zyrtare të Perandorisë Romake. Ndërsa vetë Konstandini do të hynte në traditën kishtare si Shën Konstandini — mbrojtësi dhe perandori që i dha krishtërimit jo vetëm lirinë, por edhe fuqinë politike për të formësuar qytetërimin europian.
