Familjarët e aktivistëve që ndodheshin në anijet e flotiljes humanitare për Gazën u mblodhën këtë të martë përpara Ministrisë së Jashtme greke në Athinë, duke kërkuar informacion mbi fatin e të afërmve të tyre pas ndërhyrjes së forcave izraelite në Mesdheun Lindor.
Protestës iu bashkuan aktivistë dhe mbështetës të flotiljes “Global Sumud”, si edhe përfaqësues të organizatave të të drejtave të njeriut, të cilët kërkuan garanci për sigurinë e personave që ndodheshin në bord.
Familjarët hynë në ambientet e ministrisë dhe zhvilluan takime me zyrtarët grekë, por dy nëna deklaruan për mediat se ende nuk kishin marrë asnjë informacion mbi vendndodhjen apo gjendjen shëndetësore të fëmijëve të tyre. Sipas tyre, prej 24 orësh nuk kishin arritur të komunikonin me ta.
Organizatorët e flotiljes humanitare thanë se forcat izraelite kanë ndaluar 41 anije që po lundronin drejt Gazës, ndërsa 10 mjete të tjera vijojnë rrugën drejt enklavës palestineze. Në pesë prej anijeve të ndaluara ndodheshin edhe shtetas grekë.
Kjo ishte protesta e dytë brenda dy ditësh përpara Ministrisë së Jashtme të Greqisë. Një ditë më parë, autoritetet greke deklaruan se po ndjekin nga afër zhvillimet dhe i kanë kërkuar Izraelit të marrë të gjitha masat e nevojshme për garantimin e sigurisë së qytetarëve grekë që marrin pjesë në flotilje./mxh
