Gjykata Kombëtare e Spanjës ka ngritur akuza ndaj ish-kryeministrit spanjoll José Luis Rodríguez Zapatero për pastrim parash, abuzim me ndikimin dhe vepra të tjera penale lidhur me shpëtimin financiar prej 53 milionë eurosh të kompanisë ajrore Plus Ultra.
Në një deklaratë zyrtare, gjykata bëri të ditur se oficerët e Njësisë së Krimit Ekonomik dhe Fiskal të Policisë Kombëtare kanë kryer kontrolle në zyrat e Zapateros, si dhe në ndërtesa që lidhen me tre kompani të paidentifikuara.
Gjykata ka urdhëruar ish-liderin e Partisë Socialiste të paraqitet për dëshmi më 2 qershor.
Zapatero ka mohuar vazhdimisht çdo përfshirje të paligjshme, duke deklaruar se nuk ka marrë pagesa nga Plus Ultra dhe nuk ka kryer shkelje ligjore.
Çështja konsiderohet një goditje politike për kryeministrin aktual Pedro Sánchez, i cili po përballet me vështirësi politike pas humbjeve në disa zgjedhje rajonale.
Megjithëse Zapatero fillimisht nuk ishte ndër mbështetësit kryesorë të Sánchez, ai është shndërruar vitet e fundit në një aleat të rëndësishëm politik të tij. Gjatë zgjedhjeve parlamentare të vitit 2023, Zapatero bëri fushatë aktive në mbështetje të Sánchez dhe luajti rol të rëndësishëm në mobilizimin e figurave tradicionale socialiste në favor të kryeministrit aktual./mxh
