Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka deklaruar se çdo reduktim i pranisë ushtarake amerikane në Evropë do të ndodhë në mënyrë të strukturuar dhe nuk do të ndikojë në planet e mbrojtjes së Aleancës.
Në një konferencë për shtyp në Bruksel, Rutte tha se Shtetet e Bashkuara po orientojnë gradualisht më shumë burime drejt rajoneve të tjera, përfshirë Azinë, por theksoi se ky proces po zhvillohet në koordinim të plotë me NATO-n.
Sipas tij, forcat amerikane të përmendura në diskutimet e fundit, që variojnë nga 4 mijë deri në 5 mijë trupa, janë pjesë e rotacionit dhe nuk përbëjnë ndryshim të strukturës së sigurisë së Aleancës.
Rutte theksoi gjithashtu se NATO mbetet një aleancë transatlantike dhe se forcimi i saj kërkon një ndarje më të drejtë të përgjegjësive mes Shteteve të Bashkuara, Evropës dhe Kanadasë.
Ai shtoi se rritja e shpenzimeve të mbrojtjes nga vendet evropiane është një hap i rëndësishëm për të shmangur varësinë e tepërt nga një aleat i vetëm dhe për të garantuar sigurinë kolektive të NATO-s./mxh
