Rregullatorët evropianë po hetojnë nëse aktorë të huaj po shfrytëzojnë trazirat dhe episodet e dhunës në Francë dhe vende të tjera të Evropës përmes fushatave të organizuara të dezinformimit në rrjetet sociale.
Sipas zyrtarëve të sigurisë të cituar nga Financial Times, llogari të lidhura më parë me propagandën pro-ruse dhe grupet e ekstremit të djathtë kanë shpërndarë video të dhunshme, duke nxitur frikën se përhapja e tyre mund të thellojë tensionet dhe të shkaktojë më shumë kaos.
Përveç Rusisë, ekspertët kanë ngritur dyshime edhe për një ndikim të mundshëm nga Irani dhe Algjeria. Megjithatë, deri më tani nuk ka prova konkrete se këta aktorë kanë nxitur drejtpërdrejt dhunën në terren apo kanë ndikuar ndjeshëm në zhvillimin e ngjarjeve.
“Ne duam të shohim se në çfarë mase platformat po bashkëpunojnë”, tha një zyrtar i Bashkimit Evropian, duke theksuar se platformat nuk duhet të lejojnë që algoritmet e tyre të përforcojnë fushatat e mundshme të dezinformimit.
Sipas David Colon, studiues në Sciences Po dhe ekspert i dezinformimit, ndikues të lidhur me Kremlinin kanë amplifikuar ngjarjet përmes narrativave të rreme. Ai përmendi operacionin rus Storm-1516, i njohur për fushatat e manipulimit të informacionit, si dhe rrjetin e ndikimit Matryoshka.

Megjithatë, Colon theksoi se ndikuesit pro-rusë nuk janë përgjegjës për nisjen e protestave dhe as nuk kanë përcaktuar rrjedhën e tyre.
Qeveria franceze dhe autoritete të tjera kanë kërkuar nga agjencitë e inteligjencës të shqyrtojnë nëse individë të lidhur me Rusinë kanë luajtur një rol më aktiv në nxitjen e dhunës në Paris dhe qytete të tjera të mëdha.

Një zyrtar i lartë i inteligjencës evropiane deklaroi se deri tani nuk ka prova konkrete për provokime të drejtpërdrejta nga agjentë rusë. Sipas tij, aktiviteti i identifikuar duket kryesisht i përqendruar në internet dhe reagon ndaj zhvillimeve në terren, ndërsa hetimet franceze janë ende në fazat e para.
Një nga rastet e identifikuara nga Financial Times lidhet me një video të protestuesve që ndezin fishekzjarrë, e cila u shpërnda në platformën X dhe mori afro gjashtë milionë shikime.
Pamjet u paraqitën si të regjistruara në Francë, por në të vërtetë i përkisnin protestave të vitit 2024 në Tbilisi të Gjeorgjisë.
Rasti tregon se si videot e vjetra ose të marra nga vende të tjera mund të përdoren për të krijuar një perceptim të rremë mbi zhvillimet aktuale dhe për të rritur tensionet në internet.
Sipas shërbimit diplomatik të Bashkimit Evropian, Franca renditet e dyta në Evropën kontinentale, pas Ukrainës, për nga shënjestrimi nga operacionet e dezinformimit të sponsorizuara nga shtete.
Në vitin 2023, individë të dyshuar për lidhje me Rusinë vizatuan yje të Davidit në ndërtesa në Paris. Autoritetet franceze të Viginum, agjencia përgjegjëse për luftën kundër ndërhyrjeve të huaja digjitale, vlerësuan se operacioni synonte të nxiste përçarje në shoqërinë franceze.
Ekspertët kanë ngritur gjithashtu pikëpyetje për operacione të mundshme ndikimi të lidhura me Iranin dhe Algjerinë.
Colon përmendi si shembull Shahin Khazamin, një ndikues franko-iranian që ka publikuar video mbi protestat në Francë, përfshirë pamje të policisë duke ushtruar dhunë ndaj protestuesve. Një prej videove të tij ka marrë rreth katër milionë shikime në X.
Khazami ka mohuar kategorikisht pretendimet se vepron si agjent i një shteti të huaj. Ai ka deklaruar se punon si gazetar i pavarur dhe se qëndrimet e tij politike pro-palestineze po përdoren për ta diskredituar.
Sipas ekspertëve, ndërthurja e ndikuesve, algoritmeve dhe aktorëve të huaj mund të përshpejtojë përhapjen e përmbajtjeve me ngarkesë të fortë emocionale, duke nxitur polarizim dhe sjellje të dhunshme.
Shqetësimet për ndikimin e rrjeteve sociale nuk kufizohen vetëm në Francë. Në Itali, ku gjatë fundjavës pati protesta të dhunshme, veçanërisht në Milano, ministri i Mbrojtjes, Guido Crosetto, foli për një “luftë hibride” që zhvillohet përmes mjeteve jokonvencionale, përfshirë TikTok, rrjetet sociale dhe YouTube.
Ndërkohë, në Belgjikë, autoritetet kanë paralajmëruar se do të shqyrtojnë edhe rolin e TikTok në përhapjen e përmbajtjeve të lidhura me trazirat. Rregullatorët po u kërkojnë gjithashtu platformave të tregtisë elektronike, si Amazon dhe Vinted, të bllokojnë shitjen e produkteve për të cilat ka dyshime se vijnë nga plaçkitjet.
Autoritetet pritet të shqyrtojnë edhe rolin e organizatave të ekstremit të majtë, të cilat dyshohet se kanë qenë të përfshira në disa prej incidenteve. Megjithatë, zyrtarët e inteligjencës paralajmërojnë se radikalizimi politik dhe pakënaqësitë e brendshme mbeten ndër shpjegimet kryesore për trazirat.
Brukseli paralajmëron platformat online
Komisioni Evropian ka zhvilluar takime me autoritetet franceze dhe rregullatorin e medias Arcom për të diskutuar bashkëpunimin me platformat sociale, përfshirë X, ku përmbajtje raciste dhe e dhunshme është përhapur me shpejtësi.
Brukseli u ka kërkuar platformave të marrin masa për të parandaluar që algoritmet të amplifikojnë dhunën dhe incidentet e ngjashme. Sipas Komisionit, përgjegjësia për trajtimin e situatës i takon fillimisht autoriteteve kombëtare, por Bashkimi Evropian mund të ndërhyjë nëse rreziku bëhet sistematik dhe platformat nuk bashkëpunojnë.
“Dhuna që ndodh jashtë internetit nuk duhet të amplifikohet ose të shpërblehet nga algoritmet në internet”, deklaroi zëdhënësi i Komisionit Evropian, Thomas Rainier.
Pavarësisht dyshimeve për ndërhyrje të huaja, zyrtarët evropianë theksojnë se roli i tyre nuk duhet të mbivlerësohet. Sipas tyre, aktorët e jashtëm mund të përpiqen të shfrytëzojnë zemërimin e qytetarëve dhe ta përforcojnë atë në internet, por kjo nuk do të thotë se ata janë shkaku kryesor i trazirave./ad
