Një sulm me dron rus ka goditur një ndërtesë banimi në qytetin verior ukrainas Konotop, duke shkaktuar vdekjen e një gruaje 94-vjeçare dhe plagosjen e të paktën 11 personave të tjerë, kryesisht të moshuar.
Autoritetet rajonale të Sumy-t bënë të ditur se viktima jetonte në pjesën e ndërtesës që u godit dhe ndërroi jetë dy ditë pas ditëlindjes së saj.
Guvernatori Oleh Hryhorov konfirmoi se të lënduarit po marrin trajtim mjekësor, ndërsa ekipet e emergjencës po punojnë në terren për të kërkuar të mbijetuar dhe për të pastruar rrënojat.
Pamjet nga vendngjarja tregojnë ekipet e shpëtimit duke përdorur makineri të rënda dhe qen kërkimi për të nxjerrë njerëz nga rrënojat e ndërtesës së dëmtuar.
Autoritetet ukrainase kanë konfirmuar se sulmi ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së mërkurës dhe se ndërtesat e banimit në zonë janë dëmtuar rëndë.
Hetimet dhe verifikimet e pavarura të vendndodhjes dhe kohës së ngjarjes janë kryer përmes pamjeve satelitore dhe raportimeve të shërbimeve të emergjencës./mxh
