Vetëm një ditë pasi u prezantua si trajneri i Kombëtares shqiptare, Rolando Maran ka nisur zyrtarisht punën për të përgatitur miqësoret e qershorit. 62-vjeçari ka marrë bekimin e ish-trajnerit kuqezi Xhani De Biasi.
“Është një trajner me eksperiencë. Ka punuar mirë në karrierën e tij. Është një person i ndershëm dhe serioz. Tani ka përpara një mundësi të artë dhe besoj që do ta shfrytëzojë ashtu siç duhet”, tha De Biasi.
Ai zbulon gjithashtu bisedën që ka pasur me Maran.
“I fola pak për ambientin që do të gjejë në Shqipëri. Për faktin që do të punjoë në një federatë që të mbështet për ta ndihmuar që të përshtatet sa më shpejt aty. Lidhja e fortë mes Italisë dhe Shqipërisë do t’ia bëjë më të lehtë”,shtoi De Biasi.
Xhani De Biasi tregon filozofinë e futbollit të trajnerit të ri të Kombëtares.“Është shumë i përgatitur. I pëlqen futbolli modern, i shpejtë dhe agresiv. Lojtarët duhet të vrapojnë shumë, por të jenë inteligjentë. Nuk mund të them se cilët futbollistë do të ekzaltohen nga futbolli i tij. Shpresoj që të kualifikohet në Europian dhe të realizojë ëndrrën tonë të përbashkët për në Botëror”, përfundoi De Biasi.
Maran mori drejtimin e Kombëtares këtë të martë pas largimit të trajnerit Silvinjo dhe ka firmosur një kontratë për 1 vit e gjysmë./et
