Çmimet e naftës shënuan sot rënie të ndjeshme, pasi presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se negociatat me Iranin për gjetjen e një zgjidhjeje të konfliktit në Lindjen e Mesme kanë hyrë në fazën përfundimtare.
“Do të shohim se çfarë do të ndodhë. Ose do të arrijmë një marrëveshje, ose do të ndërmarrim masa disi më të ashpra. Por shpresoj që kjo të mos jetë e nevojshme”, tha Trump para gazetarëve në Uashington.
Këto komente përforcuan tendencën rënëse që ishte shfaqur tashmë në tregjet ndërkombëtare të energjisë.
Rreth orës 16:10 GMT, çmimi i naftës së tipit “Brent” për dorëzim në korrik ra me 5,55%, në 105,10 dollarë për fuçi, pasi kishte zbritur përkohësisht deri në 103,24 dollarë.
Ndërkohë, nafta amerikane “West Texas Intermediate” (WTI) për të njëjtën periudhë humbi 5,32% të vlerës, duke rënë në 98,61 dollarë për fuçi, pasi kishte prekur më herët nivelin prej 97 dollarësh.
Pak më parë, ministri i Jashtëm saudit, Faisal bin Farhan Al Saud, përshëndeti vendimin e presidentit Trump për t’i “dhënë një shans diplomacisë”, duke i bërë thirrje Iranit të shfrytëzojë këtë mundësi për të shmangur një përshkallëzim të mëtejshëm të tensioneve.
Më herët gjatë ditës, rënia e çmimeve ishte nxitur edhe nga njoftimi për kalimin e një anijeje cisternë koreanojugore përmes Ngushticës së Hormuz, një korridor jetik për transportin global të naftës.
“Pikërisht tani, anija jonë cisternë po del nga Ngushtica e Hormuzit në koordinim me Iranin”, deklaroi në parlament ministri i Jashtëm i Koresë së Jugut, Cho Hyun.
Sipas platformës së monitorimit detar MarineTraffic, anija në fjalë mund të jetë “Universal Winner”, e cila transporton naftë nga Kuvajti.
Analistja Anna Macdonald nga kompania “Hargreaves Lansdown” tha se mbërritja e naftës bruto në Korenë e Jugut, një vend me kapacitete të mëdha rafinimi, është parë nga tregjet si një sinjal lehtësues për furnizimet energjetike.
Sipas saj, edhe dy anije kineze kishin kaluar më herët të njëjtën rrugë, duke forcuar presionin rënës mbi çmimet e naftës.
Megjithatë, presidenti Trump deklaroi gjithashtu se “nuk është me nxitim” për të arritur një marrëveshje me Iranin, duke lënë të hapur mundësinë e vazhdimit të pasigurisë në rajon.
Analisti Giovanni Staunovo paralajmëroi se, për sa kohë që flukset e naftës nga Gjiri mbeten pjesërisht të bllokuara, ka gjasa që rezervat globale të naftës të vazhdojnë të bien gjatë javëve të ardhshme./mxh
