Last Updated on 20/05/2026 by Monika
Partia Socialiste dhe Partia Demokratike kanë arritur dakordësi për draftin e përbashkët të ndryshimeve në Rregulloren e Kuvendit, i cili pritet të miratohet nesër në orën 09:00 në mbledhjen e Këshillit për Rregulloren.
Relatorët e të dy palëve kanë përmbyllur negociatat, ndërsa drafti final përfshin tërheqjen e disa propozimeve nga mazhoranca dhe pranimin e disa kërkesave të opozitës.
1. Pikat ku u tërhoq PS
a) PS u tërhoq nga propozimi që çdo projektligj i kërkuar nga BE të shqyrtohej brenda një jave me procedurë të përshpejtuar.
b) PS u tërhoq nga përgjysmimi i kohës së diskutimit në seancë plenare.
c) PS u tërhoq nga propozimi që institucionet kushtetuese të mos raportonin në seancë plenare, duke pranuar qëndrimin e PD-së se raportimi në Kuvend duhet të bëhet nga çdo institucion që ka detyrim kushtetues për raportim.
d) PS u tërhoq edhe nga propozimi që të gjitha institucionet të raportonin vetëm në Komisionin Xhafaj, duke pranuar qendrimin e PD, që raportimet vjetore të bëhen në komisionet përgjegjëse sipas fushës.
2. Pikat që u pranuan nga PD:
a) U pranua propozimi i PD-së që forcon kontrollin parlamentar përmes ndërhyrjes së Kryetarit të Kuvendit në rastet kur institucionet nuk u përgjigjen kërkesave të deputetëve për informacion. Sipas ndryshimit të pranuar:
– Kryetari i Kuvendit detyrohet t’i kërkojë institucionit përgjigje brenda 5 ditëve nga kalimi i afatit;
– në rast mosreagimi, i kërkohet titullarit të institucionit marrja e masave disiplinore deri në shkarkim.
b) U pranua propozimi i PD-së që kryetarët e komisioneve, kur kërkohet nga pakica parlamentare, të jenë të detyruar të thërrasin mbledhje komisioni ose seanca dëgjimore me titullarë institucionesh brenda dy ditëve nga paraqitja e kërkesës.
c) U pranua propozimi i PD-së që, me kërkesë të një kryetari grupi parlamentar, seanca plenare të ndërpritet në orën 22:00 dhe të rifillojë ditën pasardhëse.
d) U pranua propozimi që masat disiplinore të pezullohen automatikisht nëse ankimohen në Byronë e Kuvendit. Masat disiplinore nuk do llogariten më me ditë pune, por me ditë kalendarike. Sekretariati i Etikës me numër të barabartë anëtarësh./mxh
