Departamenti Amerikan i Mbrojtjes ka njoftuar reduktimin e numrit të brigadave luftarake të vendosura në Europë, duke i ulur ato nga katër në tre. Vendimi vjen në kuadër të një rishikimi më të gjerë të pranisë ushtarake amerikane në kontinent dhe pritet të ndikojë edhe në forcat që Shtetet e Bashkuara vënë në dispozicion të NATO-s në rast krizash apo konfliktesh.
Sipas raportimeve të Reuters, administrata e presidentit Donald Trump synon të reduktojë ndjeshëm angazhimin ushtarak amerikan në Europë, duke rikthyer nivelet e dislokimit në ato të vitit 2021.
Pentagoni bëri të ditur se reduktimi ka sjellë edhe vonesa në dislokimin e trupave amerikane në Poloni, ndërsa destinacioni përfundimtar i forcave në Evropë do të përcaktohet pas analizave të mëtejshme strategjike dhe operative.
Sipas modelit aktual të NATO-s, vendet anëtare identifikojnë së bashku forcat që mund të përdoren në rast sulmi ndaj një shteti të aleancës apo gjatë krizave të mëdha ndërkombëtare. Megjithatë, SHBA-të pritet t’u komunikojnë aleatëve se do të ketë më pak forca të disponueshme për NATO-n në të ardhmen.
Në deklaratën e Pentagonit thuhet se ky rishikim lidhet edhe me zbatimin e politikës “America First” (Amerika e Para), duke nxitur aleatët evropianë të marrin më shumë përgjegjësi për mbrojtjen e kontinentit.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, zhvilloi gjithashtu një takim me zëvendëskryeministrin polak Kosiniak-Kamysz, ku u diskutua për praninë ushtarake amerikane në Poloni dhe bashkëpunimin në kuadër të NATO-s.
Pentagoni theksoi se Polonia ka treguar aftësi dhe vendosmëri për të garantuar mbrojtjen e saj, ndërsa u bëri thirrje edhe vendeve të tjera të NATO-s të rrisin investimet në sigurinë dhe mbrojtjen e tyre ushtarake./mxh
