Janë bërë publike nominimet për edicionin e këtij viti të BET Awards dhe artistja që dominoi listën është Cardi B, e cila ka marrë gjithsej gjashtë nominime në kategoritë kryesore të eventit.
Reperja amerikane është në garë për çmime të rëndësishme si “Best Female Hip Hop Artist”, “Album of the Year”, “Best Collaboration” dhe “Viewers’ Choice”, duke u kthyer në emrin më të përfolur të këtij edicioni.
Pas saj vijnë Kendrick Lamar dhe Mariah the Scientist, të cilët kanë siguruar nga pesë nominime secili. Ndërkohë, emra si Doja Cat, Doechii, Latto, Clipse, Olivia Dean dhe Teyana Taylor kanë marrë nga katër nominime.
Një ndër zhvillimet më interesante të BET Awards 2026 është prezantimi i dy kategorive të reja që lidhen me ndikimin në kulturën moderne dhe botën digjitale.
Kategoria “Fashion Vanguard Award” do të nderojë personazhet që kanë lënë gjurmë në modë dhe stil, duke ndikuar përmes muzikës, filmit apo jetës publike. Mes emrave të nominuar janë Beyoncé, Rihanna, Zendaya, Bad Bunny, A$AP Rocky, Teyana Taylor dhe Cardi B.
Ndërsa çmimi “Pulse Award” është krijuar për të vlerësuar figurat dhe projektet që kanë pasur ndikim të madh në rrjetet sociale dhe kulturën online.
Në muzikë, gara pritet të jetë e fortë, sidomos në kategoritë “Best Collaboration” dhe “Viewers’ Choice”, ku përballen Cardi B, Kendrick Lamar dhe Mariah the Scientist. Në “Album of the Year” konkurrojnë gjithashtu projekte nga J. Cole, Bruno Mars, Tyler, the Creator dhe Clipse.
Edhe kategoria e filmit dhe televizionit sjell emra të mëdhenj. Për “Best Actor” janë nominuar Denzel Washington, Michael B. Jordan dhe Anthony Mackie, ndërsa në garën për “Best Actress” përfshihen Angela Bassett, Cynthia Erivo dhe Keke Palmer.
Në sport, për “Sportswoman of the Year” janë në garë Coco Gauff, Naomi Osaka dhe Angel Reese, ndërsa për “Sportsman of the Year” konkurrojnë LeBron James, Stephen Curry dhe Jalen Hurts.
Ceremonia e BET Awards 2026 do të zhvillohet më 28 qershor dhe do të transmetohet drejtpërdrejt në BET dhe platformat e Paramount./mxh
