Last Updated on 20/05/2026 by Monika
Një zhvillim tronditës ka goditur familjen e themeluesit të gjigantit spanjoll të modës Mango. Jonathan Andic, djali i themeluesit të ndjerë Isak Andic, u arrestua të martën nga policia katalanase në lidhje me vdekjen e babait të tij në fund të vitit 2024.
Isak Andic, i cili themeloi Mango-n në mesin e viteve 1980, humbi jetën në moshën 71-vjeçare pasi ra në një humnerë rreth 100 metra të thellë gjatë një shëtitjeje malore pranë Barcelonës. Në momentin e ngjarjes ai ndodhej së bashku me djalin e tij, Jonathan Andic, i cili ishte dëshmitari i vetëm i incidentit.
Fillimisht autoritetet e trajtuan rastin si aksident dhe hetimet u mbyllën përkohësisht në fillim të vitit 2025. Megjithatë, çështja u rihap në muajin mars, ndërsa tashmë Prokuroria dhe Gjykata e Lartë e Barcelonës po e hetojnë ngjarjen si vrasje.
Policia rajonale e Katalonjës, Mossos d’Esquadra, konfirmoi arrestimin e Jonathan Andic, i cili aktualisht mban postin e nënkryetarit të bordit të Mango-s. Ai u paraqit para gjykatës në Martorell, pranë Barcelonës, ku gjyqtari caktoi një garanci pasurore prej 1 milion eurosh, shumë që sipas autoriteteve është paguar tashmë.
Gjykata urdhëroi gjithashtu sekuestrimin e pasaportës së tij dhe paraqitjen e detyrueshme javore në gjykatë deri në përfundimin e hetimeve.
Familja Andic, përmes një deklarate për mediat ndërkombëtare, ka shprehur besimin në pafajësinë e Jonathan Andic dhe ka bërë të ditur se ai po bashkëpunon plotësisht me autoritetet.
I lindur në Turqi, Isak Andic ndërtoi Mango-n në një nga markat më të mëdha të modës në Europë, duke konkurruar drejtpërdrejt me Inditex dhe markën e saj të njohur Zara. Sipas revistës Forbes, pasuria e tij në momentin e vdekjes arrinte në rreth 4.5 miliardë dollarë./mxh
