Ndërsa gjithnjë e më shumë njerëz po zhvendosen jashtë vendit për punë, stil jetese dhe më shumë fleksibilitet, një renditje e re globale ka zbuluar qytetet më të mira ku të huajt mund të jetojnë realisht me cilësi të lartë jete.
Studimi merr parasysh faktorë si kujdesi shëndetësor, siguria, përballueshmëria ekonomike dhe lehtësia e integrimit, me Europën që dominon vendet e para.
Teksa shumë persona po heqin dorë nga ideja e një vendbanimi tradicional për të ndërtuar jetën në një shtet tjetër, kjo renditje e re globale nxjerr në pah qytetet më të favorshme për të huajt.
Lista nuk bazohet vetëm te pamjet turistike apo taksat e ulëta, por te elementët që kanë vërtet rëndësi kur zhvendosesh në një vend të ri: sistemi shëndetësor, siguria, kostoja e jetesës, jeta sociale dhe madje edhe fuqia e pasaportës.
Sipas Departamentit të Çështjeve Ekonomike dhe Sociale të Kombeve të Bashkuara, sot më shumë se 300 milionë njerëz jetojnë jashtë vendit ku kanë lindur — pothuajse dyfish më shumë krahasuar me vitin 1990.
Pas pandemisë, është shënuar një rritje e ndjeshme e punonjësve në distancë dhe nomadëve digjitalë, të cilët i janë bashkuar turmave të pensionistëve dhe personave që duhet të zhvendosen për arsye pune.
Tani, Global Citizen Solutions, një kompani këshilluese për planifikimin e rezidencës dhe shtetësisë, ka publikuar listën e saj të parë të “Qyteteve më të jetueshme në botë për të huajt”, duke renditur 35 qytete në gjashtë kontinente si destinacione për popullsinë gjithnjë në rritje të banorëve me lëvizshmëri ndërkombëtare.
Njësia e Inteligjencës Globale e kompanisë shkoi më thellë sesa matja e treguesve tradicionalë të performancës urbane, duke i vlerësuar qytetet sipas shtatë indikatorëve të veçantë.
Këta ishin: kostoja e jetesës, siguria, cilësia e ajrit, kujdesi shëndetësor, lehtësia e përshtatjes, njohja e anglishtes dhe lëvizshmëria e zgjeruar — pra fuqia e pasaportës dhe liria e udhëtimit pa viza.
Njësia u mbështet në të dhëna publike dhe e renditi çdo qytet në një shkallë nga 0 në 100, ku secila kategori kishte peshën e saj specifike. Siguria dhe kujdesi shëndetësor kishin peshën më të lartë të kombinuar, çka pasqyron rëndësinë e tyre në vendimet për zhvendosje afatgjatë.
Në fund, Lisbona kryesoi listën, e ndjekur nga afër nga Amsterdami. Në total, dhjetëshja e parë përfshin pesë qytete europiane.
10 qytetet më të jetueshme për të huajt
- Lisbonë, Portugali: 88.49 / 100
- Amsterdam, Holandë: 81.97
- Melburn, Australi: 81.79
- Vjenë, Austri: 81.07
- Barcelonë, Spanjë: 80.70
- Singapor: 80.58
- Okland, Zelandë e Re: 80.15
- Tokio, Japoni: 79.78
- Kopenhagë, Danimarkë: 79.57
- Seul, Kore e Jugut: 78.89
Tre qytetet më të mira për të huajt
Lisbona
Kryeqyteti portugez zuri vendin e parë sepse tregoi performancë të qëndrueshme në të gjithë treguesit, dhe jo dominim vetëm në një kategori të vetme.
Ajo është ndër qytetet më të përballueshme ekonomikisht në indeks, duke marrë rezultate më të mira në kategorinë e kostos së jetesës se qytete si Vjena, Amsterdami dhe Kopenhaga.
Njohja e anglishtes është gjithashtu e lartë, ashtu si cilësia e ajrit dhe niveli i sigurisë, të cilat tejkalojnë ato të shumë qyteteve të tjera evropiane.
Një tjetër avantazh i Lisbonës ndaj qendrave të tjera në kontinent është ekzistenca e disa rrugëve ligjore për të marrë rezidencën, përfshirë rezidencën përmes investimit dhe vizat për nomadët digjitalë, gjë që e bën ideale për të huajt.
Amsterdam, Holandë
Amsterdami siguroi vendin e dytë në indeks falë rezultateve të mira në të gjitha kategoritë.
Kryeqyteti holandez ofron siguri të lartë, kujdes shëndetësor cilësor dhe ajër të pastër, krahas lehtësisë së aksesit për banorët ndërkombëtarë.
Ai rezultoi me nivelin më të lartë të njohjes së anglishtes ndër qytetet evropiane të përfshira në indeks, ndërsa pengesat gjuhësore në jetën e përditshme dhe në procedurat administrative janë shpesh më të pakta.
I njohur për rrugët e tij pa makina, ku ecja, biçikleta dhe transporti publik përbënin më shumë se 70% të udhëtimeve midis viteve 2015 dhe 2022, Amsterdami është një zgjedhje e mirë për të huajt që kërkojnë një jetë pa makinë.
Megjithatë, kostoja e jetesës është pika ku Amsterdami has më shumë vështirësi. Qyteti është ndër më të shtrenjtët në renditje, çka do të thotë se jo çdo i huaj mund ta përballojë ta bëjë atë shtëpinë e vet.
Ndërsa rezultati për lehtësinë e përshtatjes tregon gjithashtu se integrimi social mund të kërkojë kohë, Amsterdami ofron një mjedis jetese të qëndrueshëm dhe të balancuar — për ata që mund ta përballojnë financiarisht.
Melburn, Australi
Si i vetmi qytet jo-evropian në pesëshen e parë, Melburni arriti rezultate të forta në disa kategori.
Ai ka nivelin më të lartë të njohjes së anglishtes në të gjithë renditjen, krahas Singaporit, Oklandit dhe Vankuverit, dhe është një nga qytetet më të pastra në listë.
Qyteti australian ofron gjithashtu kujdes shëndetësor cilësor, qeverisje të qëndrueshme dhe sisteme urbane të zhvilluara mirë. Në praktikë, këta faktorë përkthehen në një standard të mirë jetese, ndërsa Melburni mbetet veçanërisht i preferuar për të huajt që largohen nga vende të tjera anglishtfolëse.
Ai pati një rënie të lehtë në kategorinë e sigurisë, ku rezultati i tij është relativisht më i ulët se ai i qyteteve evropiane. Kjo është dobësia kryesore në një profil përndryshe të balancuar mirë./ Euronews-A.D
