Last Updated on 21/05/2026 by Anisa
Deputeti i PS, Erion Braçe, ka kërkuar një interpelancë me ministrin e Energjisë dhe Infrastrukturës, Enea Karakaçi, duke vënë në qendër të diskutimit sigurinë e ndërtimeve të reja në vend.
Braçe u ndal te rasti i pallatit që u përfshi nga flakët rreth një muaj më parë në Tiranë, pranë spitalit “Nënë Tereza”, duke ngritur shqetësime për mënyrën e ndërtimit dhe materialet e përdorura në komplekset e banimit.
“Një kompleks të madh banimi dhe ndërtimesh, ndërtuar nga kompania ‘Arlis’ ka kthyer në vëmendje mënyrën si ndërtojmë dhe materialet e ndërtimet. Kur është fakt që ngjarjet e rënda po na ndodhin në ndërtime të reja dhe të kushtueshme për blerësit, kthehet në problem. Askush nuk ka folur, refuzojnë të flasin. Bëjnë veprime ‘Mos o Zot’ për mënyrën dhe faktorët që favorizuan përhapjen e zjarrit.
Përhapja e shpejtë e tij rrezikoi në maksimum jetët e banorëve, të zjarrfikësve vetë, ndërkohë që prona po digjej. Një ditë më pas, zjarrfikësit, më shpjeguan vend për materialet, djegien e tyre dhe mënyrën e përhapjes së zjarrit. Arsyet pse ju thirra këtu janë disa. E para ka të bëjë me banorët, prona e të cilëve është djegur plotësisht. E dyta ka të bëjë me banorët që jetojnë në të njëjtin kompleks, prona e të cilëve nuk është prekur, por rrezikon. Ka të bëjë me kodet e mbrojtjes nga zjarri në ndërtim, a ekzistojnë dhe a funksionojnë ato. Ka të bëjë me kontrollet periodike të ndërtimit të ndërtesës.
Ndërkohë, unë isha dy ditë më parë në atë kompleks, nisur dhe nga një peticion nga ana e tyre. Unë e çmoj shumë prezencën aty të zv.kryeministres dy ditë pas zjarrit. Quhet njerzillëk ky.
Sa kohë do na duhet të ndërtojmë një objekt të sigurt nga zjarri, e lidhur ngushtë me funksionalitetin e saj? Shkurt e qartë për ta thënë, të bëjmë gjumë të sigurt në banesat që i blejmë shtrenjtë”, tha Braçe.
Në përgjigje të interpelancës, ministri Enea Karakaçi theksoi se çështja prek një fushë të gjerë të legjislacionit dhe kontrollit të materialeve të ndërtimit, duke pranuar nevojën për përmirësime në kuadrin ligjor ekzistues.
“Interpelanca e kërkuar nga ana juaj prek një fushë shumë të gjerë, e cila prek materialet e ndërtimit. Cilësia e materialeve përbën një nga faktorët më të rëndësishëm të sigurisë. Kuadri ligjor në Shqipëri ka vendosur disa themele sa i përket kontrollit në ndërtim. Në këto raste janë evidentuar dispozitat që lidhen me cilësinë e materialeve të ndërtimit.
Legjislacioni aktual, patjetër është i hershëm dhe ka dalë nevoja e tij për përditësim. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse, ka hartuar prpojektligjin për tregtimin e produkteve të ndërtimit, i cili synon përafrimin me rregulloren e BE-së në 2024-ën.
Së pari, ajo çfarë unë iu referova gjatë fjalës sime lidhet me gjithë kuadrin ligjor rregullator për materialin e ndërtimit, normat e zbatimit ku ministria që përfaqësoj është hartuese dhe rregullatore. Gjatë zbatimit të procedurave ligjore, ka shumë institucione që kanë detyrim të zbatojnë ligjin.
Do të isha i gatshëm të vazhdoja diskutimin me ju që nëse kemi hapësirë për të bërë rregullime të tjera që na shmangin situata të tilla, do të isha i gatshëm të ulesha dhe të hartojmë masat. Pas zjarrit, nën drejtimin tim dhe gjithë strukturat nën varësinë e ministrisë, kanë shkuar derë më derë për të parë nëse ishte e mundur që të bëhej rilidhja e energjisë dhe ujit.
Unë s’kam kompleks që të pranoj se nëse ndërtuesi apo kolaudatori kanë shkelur ligjin, duhet të dënohen dhe të merren masat përkatëse.
Është evidente që shumë shpesh ka ndodhur që ndërtimi është shtrirë përtej lejes dhe për këtë qëllim është miratuar akti normativ që referon që për ndërtesat e reja nuk bëhet lidhja e energjisë dhe shërbimit të ujit nëse njësia s’ka marrë aktin e kolaudimit”, tha Karakaçi./A.D
