Lideri konservator populist, Janez Janša, mund të rikthehet nesër (22 maj) në postin e kryeministrit të Sllovenisë, nga i cili ishte larguar në vitin 2022.
Të martën (19 maj), Janša u propozua zyrtarisht si kandidat për kryeministër nga Partia Demokratike e Sllovenisë, anëtare e Partisë Popullore Evropiane (PPE). Ai pritet të udhëheqë një koalicion të djathtë, me mbështetje të jashtme edhe nga e djathta ekstreme.
I njohur për qëndrimet e tij pro-Trump dhe i quajtur “Marshal Twitto” për postimet e shumta në rrjetet sociale, Janša konsiderohet i afërt me Viktor Orbán, ndonëse formalisht mbetet pjesë e familjes së PPE-së.
Ai ka shërbyer tre herë si kryeministër i Sllovenisë dhe gjatë mandateve të tij të mëparshme është akuzuar për minimin e lirisë së shtypit.
Megjithatë, ai nuk konsiderohet pro-rus. Gjatë fushatës elektorale ka vizituar disa herë Ukrainën për të shprehur mbështetjen ndaj presidentit Volodymyr Zelensky.
Nëse konfirmohet në detyrë, Janša pritet të sjellë një ndryshim të fortë në politikën e jashtme të Sllovenisë, veçanërisht sa i përket qëndrimit ndaj Izraelit. Nën qeverinë në largim të Robert Golob, Sllovenia ishte rreshtuar me Spanjën, Irlandën dhe Belgjikën duke kërkuar sanksione ndaj qeverisë së Benjamin Netanyahut./mxh
