Kush thotë se flokët nuk mund të jenë art? Njohim Taiba Akhuetie, e cila përdor flokë natyralë dhe sintetikë për të transformuar çadra, tavolina, karrige, abazhurë, çanta dore e shumë objekte të tjera në një dimension të ri, të egër dhe të valëzuar.
Micha Frazer-Carroll
Arti i Taiba Akhuetie është i pakëndshëm për t’u parë. Kjo ndodh kryesisht sepse nuk je i sigurt nëse ndodhesh përballë diçkaje të gjallë apo të pajetë. Ajo përdor flokët si medium, duke ndërtuar objekte të zakonshme nga fije sintetike dhe natyrale. Çanta, pasqyra, karrige lëkundëse dhe çadra mbulohen me gërsheta të gjata e të trasha, si dhe me fije të drejta që bien lirshëm. Rezultati është se këto objekte të pajeta marrin një cilësi të frikshme, si preparate muzeale (takidermi).
Akhuetie, puna e së cilës do të ekspozohet në Sarabande Foundation në Londër, kujton se flokët e kanë fascinuar që në fëmijëri. “Ne shkonim në shtëpinë e shoqes së mamit…”, thotë ajo dhe ndalet. “Në fakt, te tezja ime — ajo do quhej teze, sigurisht.” Ajo kujton si e shihte “tezen” duke gërshetuar flokët e motrës së saj, e mahnitur nga shpejtësia e gishtave të saj. Në Kingston, Surrey, ajo bënte gërsheta për shoqet e shkollës dhe e kuptoi se ishte natyrshëm e aftë.
“Dua që njerëzit të ngatërrohen. Të thonë: ‘Çfarë është kjo? Nuk e kuptoj si flokë’.”
Megjithatë, për një pjesë të fëmijërisë së saj, Akhuetie nuk i pëlqente flokët me gërsheta. “Jam rritur në një zonë të bardhë, të klasës së mesme dhe nuk vija nga paraja”, thotë ajo. “Fillova të kuptoj se pasiguritë e mia vinin nga krahasimi me njerëz që nuk ishin si unë — dhe dëshira për t’u bërë si ata.” Kur ndihej e ndryshme për shkak të përkatësisë së saj si grua me ngjyrë, ajo ndiente se përjetonte një formë mohimi dhe nënvlerësimi. Më pas vendosi të rrethohej me njerëz që e bënin të ndihej e sigurt në identitetin e saj.
Një ndryshim i thellë në perceptimin e gërshetave ndodhi. “Fillova t’i shihja si diçka jashtëzakonisht të bukur dhe terapeutike”, thotë 34-vjeçarja. Në vitin 2014, ajo krijoi Keash Braids me shoqen e saj të shkollës, Jessy Linton: një shërbim pop-up gërshetimi dhe njëkohësisht një markë kreative. Ajo punoi me këmbëngulje për të ndërtuar klientelën dhe më pas hapi një sallon në Peckham, Londër. Në atë periudhë, gërshetat po përjetonin një rilindje kulturore mes grave të zeza, të lidhur me lëvizjen e flokëve natyralë.
Kur erdhi pandemia, ajo u detyrua të gjejë një mënyrë tjetër për të jetuar nga gërshetimi. Pa kontakt fizik, gjithçka dukej e pamundur. “Thashë: ‘Do provoj të bëj një instalacion me këto mbetje flokësh dhe një stol të thjeshtë në shtëpi’.” Një stol metalik u mbështoll me gërsheta dhe flokë të krehur, i zbukuruar me lule dhe një bletë. “Aty kuptova se mund ta përdorja këtë si medium edhe jashtë kokës. Ky është rrugëtimi im.”
Një nga veprat që e bëri të njohur është një çadër e mbuluar me flokë të dendur ngjyrë bionde të errët. Ajo u frymëzua një ditë me shi, kur kërkonte një çadër dhe mendoi ta transformonte atë. Vepra u bë virale në TikTok me mbi 100 mijë shikime. Moda e lartë gjithashtu filloi të interesohej për punën e saj. Revista Vogue e vlerësoi si art “shumë tekstural dhe avangard”, duke thënë se i jep kuptim të ri termit “body hair”.
Akhuetie ka bashkëpunuar me marka dhe stilistë, por këmbëngul se nuk është dizajnere mode. Ajo thotë se puna e saj është për të gjithë, megjithëse frymëzohet drejtpërdrejt nga kultura e flokëve të grave të zeza.
Në vitin 2021, ajo mori një mesazh në Instagram nga Rihanna, që i kërkonte një punë të personalizuar. “Mendova se ishte shaka”, thotë ajo. Rezultati ishte një çantë Louis Vuitton e punuar me gërsheta. Ajo ka punuar gjithashtu me këngëtaren nigeriane Tems për një afterparty të Met Gala-s, si dhe me aktoren Cate Blanchett.
Megjithatë, ajo ruan distancë nga fama. “Nuk duhet të fiksohesh pas të famshmëve”, thotë ajo. “Duhet të pyesësh veten: a ka kuptim kjo punë me këtë person, apo po e bëj vetëm për të ecur më shpejt?”
Kur pyetet për materialet, përgjigjja e saj është e thjeshtë dhe tokësore: flokët i blen në një dyqan lokal në Dalston, me marka si Impression dhe X-Pression — të njëjtat që përdor edhe në flokët e saj.
Ajo thotë se dëshiron që njerëzit të ndihen të hutuar përballë veprave të saj. “Dua që të thonë: si mund të jetë kjo flokë? Dua të jenë kuriozë, por në fund unë thjesht e dua bukurinë e asaj që bëj.”
Në ekspozitën e saj do të përfshihet edhe një punë monumentale: një strukturë cilindrike e ndërtuar me lloje të ndryshme flokësh të qepura së bashku, e titulluar “The Tone”. Emri lidhet jo vetëm me ngjyrat, por edhe me kuptimet racore të “tonit” — nga mënyra si perceptohet zëri i një gruaje me ngjyrë, deri te ngjyra e lëkurës dhe presioni për t’u “zbutur”.
Një tjetër vepër, një tavolinë e zbukuruar me rruaza në pjesën e poshtme, mban titullin “Mos ma prek tavolinën”, si referencë ndaj sloganit “Mos ma prek flokun”, simbol i lëvizjes së flokëve natyralë.
“Arsyeja pse nuk studiova art ishte pasiguria që ndjeja si grua me ngjyrë në atë botë”, thotë ajo. “Nuk mendoja se kishte vend për mua.”
Ajo beson se bota e artit ende është e prapambetur në mënyrën si e përcakton artin. Dhe megjithatë, pikërisht aty qëndron edhe misioni i saj: të tregojë se aftësia, kreativiteti dhe mjeshtëria e gërshetimit të flokëve janë art më vete.
“Shpresoj,” thotë ajo, “që njerëzit që nuk e konsiderojnë këtë art, ta kuptojnë se në të vërtetë është.”
