Aktivisti shqiptar Baki Goxhaj, i cili ishte pjesë e Flotiljes humanitare drejt Gazës dhe u ndalua nga autoritetet izraelite së bashku me dhjetëra aktivistë të tjerë, është rikthyer i sigurt në Shqipëri.
Në një intervistë nga aeroporti i Rinasit për emisionin “Shqipëria Live”, Goxhaj tregoi momentet e tensionit dhe dhunës që, sipas tij, u ushtruan ndaj aktivistëve pas ndërhyrjes së forcave izraelite.
“Një nga anëtarët e anijes sime e qëlluan me armë në këmbë dhe pas një plage të madhe u detyruan ta merrnin që ta mjekonin gjatë natës. Pas dy ditësh mbërritëm në port dhe na nxorën në mënyrë të dhunshme nga anija”, u shpreh ai.
Sipas Goxhajt, edhe ai vetë është dhunuar fizikisht gjatë ndalimit.
“Mua më mbajtën të fundit dhe bënë të njëjtën gjë duke më rrahur në grup, njëjtë si të tjerët më parë”, deklaroi aktivisti.
Ai shtoi se aktivistët u mbajtën në një tendë nën masa të rrepta sigurie dhe pretendoi se ishte dëshmitar i dhunës ndaj personave që thërrisnin “Free Palestine”.
“Nuk na lejohej të shikonim anash apo të ngrinim kokën dhe na thoshin të qëndrojmë vetëm drejt”, tha Goxhaj.
Megjithatë, ai deklaroi se nuk është ndjerë drejtpërdrejt i rrezikuar për jetën, ndërsa shtoi se situata mbetej e tensionuar gjatë gjithë kohës së ndalimit./A.D
