Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s kanë theksuar nevojën që Europa të marrë më shumë përgjegjësi për sigurinë e saj, ndërsa Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë reduktimin gradual të pranisë ushtarake në kontinent.
Duke folur para takimit të NATO-s në Suedi, ministri i Jashtëm i Estonisë, Margus Tsahkna, deklaroi se i takon SHBA-së të vendosë për numrin e trupave në Europë, por nënvizoi se vendet europiane duhet të shtojnë kontributin e tyre në mbrojtje.
Ai tha se NATO po funksionon në mënyrë efektive, duke përmendur incidentet e fundit me dronë që kanë hyrë në territorin e vendeve aleate pranë kufirit lindor të aleancës. Sipas tij, Rusia mban përgjegjësi për këto situata për shkak të luftës në Ukrainë.
Tsahkna përmendi edhe rastin kur avionët luftarakë rumunë rrëzuan një dron në hapësirën ajrore estoneze, duke e cilësuar këtë si dëshmi të koordinimit dhe gatishmërisë së NATO-s.
Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm i Norvegjisë, Espen Barth Eide, tha se aleatët e kuptojnë dëshirën e SHBA-së për të ulur gradualisht numrin e trupave në Europë, por theksoi se ky proces duhet të ndodhë në mënyrë të koordinuar, në mënyrë që Europa të ndërtojë kapacitetet e saj mbrojtëse.
Ndërsa ministrja e Jashtme e Letonisë, Baiba Braze, hodhi poshtë akuzat e Rusisë ndaj shteteve baltike, Finlandës dhe Polonisë, duke deklaruar se këto vende nuk po lejojnë përdorimin e territorit, hapësirës ajrore apo detare për sulme ndaj Rusisë nga Ukraina.
Në fokus të diskutimeve ishte edhe situata në Ngushticën e Hormuzit. Ministri i Jashtëm francez, Jean-Noel Barrot, tha se Franca dhe aleatët janë në kontakt të vazhdueshëm me administratën amerikane për garantimin e sigurisë detare dhe rikthimin sa më të shpejtë të trafikut tregtar në zonë.
Deklaratat vijnë vetëm pak orë pasi presidenti amerikan Donald Trump njoftoi dërgimin e 5 mijë trupave shtesë amerikane në Poloni, një vendim që u mirëprit nga drejtuesit e NATO-s, por që shoqërohet edhe me kërkesën për një Europë më të fortë ushtarakisht./MXH
