Last Updated on 22/05/2026 by EL
hqipëria duhet të zbardhë krimet e komunizmit dhe të trajtojë me status të veçantë ish-të përndjekurit politikë. Ky ishte mesazhi i ambasadorit të BE-së, Silvio Gonzato, gjatë 53-vjetorit të revoltës së Spaçit në Mirditë, ku ai foli pas telave me gjemba, simbol i diktaturës komuniste.
“Duhet patjetër që të ketë një vend ku të përkujtohet heroizmi i atyre që dhanë jetën për këtë Shqipëri. Ruajtja e kujtesës dhe e së shkuarës është një e drejtë themelore. Ka ardhur, madje ka kaluar koha që ky vend, ku shumë njerëz kanë vuajtur dhe kanë dhënë jetën, të kthehet në një vend përkujtimi. Gjithashtu duhet drejtësi jo vetëm për ata që mbijetuan, por edhe për familjarët e atyre që humbën jetën këtu në kërkim të lirisë. Po ashtu, ish-të burgosurit politikë duhet të trajtohen me status të veçantë. Trajtimi i këtyre çështjeve është ajo çfarë pritet nga Shqipëria për të ardhmen e saj”, u shpreh Gonzato.
Edhe ish-të përndjekurit politikë kërkuan që të zbardhen krimet e komunizmit dhe të trajtohen me pension të veçantë.
“Sot pas 35 viteve demokraci, të rrinë eshtrat pa gjetur do të thotë për mua është krim”, tha Ethem Fejzullahu, ish përndjekur.
Kryetari i Bashkisë së Mirditës, Albert Mëlyshi, kërkoi vëmendje për ish-burgun e Spaçit dhe të kaluarën komuniste, ndërsa përfaqësues të qeverisë dhe Autoritetit te Dosjeve premtuan veprime konkrete.
“Askush nuk e ka menduar se mund të ketë turizëm për tmerret e komunizmit por i shërben dhe zonës, dhe komunitetit për ta kthyer këtë vend në një pelegrinazh që të mësojmë më tepër se çfarë ishte ky vend”, tha Mëlyshi.
“Do procedojmë shumë shpejt me ngritjen e një procedura që do të jetë në bashkëpunim me një bord i cili do të merret me menaxhimin e saj për të sjellë programe edukative, ekspozita muzeale”, tha Lira Pipa, Zëvëndesministre e Kulturës.
“Në autoritetin e dosjeve kemi krijuar një aktivit të posacëm dhe kemi rreth 2 vjet që punojmë në mënyrë intensive. Kemi nxjerrë koleksionin e plotë arkivor për sa i përket burgut të Spaçit dhe çdo të dënuari”, theksoi Gentiana Sula, Drejtuese e Autoritetit të Dosjeve.
Në 53-vjetorin e revoltës së Spaçit në Mirditë u rikrijuan skena dhe u ekspozuan foto të ish-të përndjekurve. Më 21 maj 1973, të burgosurit kundërshtuan torturat, morën kontrollin e kampit për tre ditë, por revoltën e shtypi terrori dhe u ekzekutuan 4 të rinj: Pal Zefi, Dervish Bejko, Skënder Daja dhe Hajri Pashaj./e
