Irlanda ka shprehur shqetësime të forta mbi një propozim të ri që synon t’i japë Ukrainës statusin e “anëtarësimit të asociuar” në Bashkimin Evropian, duke paralajmëruar se një model i tillë mund ta lërë vendin në një pozitë të pasigurt dhe pa progres të qartë drejt anëtarësimit të plotë.
Ministrja e Jashtme irlandeze Helen McEntee tha se një qasje e tillë rrezikon të krijojë një sistem me dy nivele në procesin e zgjerimit të BE-së, ku disa vende mund të mbeten të bllokuara në një status të ndërmjetëm pa garanci për anëtarësim të plotë.
Deklaratat e saj vijnë pas një plani të propozuar nga kancelari gjerman Friedrich Merz, i cili sugjeron krijimin e një statusi të ri për Ukrainën që do t’i jepte akses në disa struktura dhe programe të BE-së, por pa të drejtë vote dhe pa anëtarësim të plotë.
Sipas këtij propozimi, Ukraina do të përfshihej gradualisht në institucionet evropiane dhe do të mund të kërkonte mbështetje në rast agresioni, por mbetet jashtë vendimmarrjes së plotë të bllokut.
Qeveria e Ukrainës, përmes ministrit të Jashtëm Andrii Sybiha, ka theksuar se qëllimi i saj mbetet anëtarësimi i plotë në BE, duke refuzuar idenë që një status i ndërmjetëm të zëvendësojë procesin e plotë të integrimit.
Brukseli, ndërkohë, ka mirëpritur diskutimet për “zgjidhje inovative”, por ka nënvizuar se procesi i zgjerimit duhet të mbetet i bazuar në meritë dhe në reformat e kërkuara nga vendet kandidate.
Debati vjen në një moment kur BE-ja po përpiqet të zhbllokojë procesin e pranimit të Ukrainës, i cili është penguar prej dy vitesh nga mosmarrëveshjet mes shteteve anëtare, përfshirë veton e Hungarisë.
Sipas diplomatëve evropianë, muajt e ardhshëm do të jenë vendimtarë për të përcaktuar nëse Ukraina do të përparojë drejt hapjes së negociatave të reja apo do të mbetet në një fazë të ndërmjetme integrimi./mxh
