Administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka njoftuar një ndryshim të madh në politikën e emigracionit, duke kërkuar që personat që aplikojnë për kartë jeshile të largohen nga Shtetet e Bashkuara gjatë procesit të aplikimit.
Sipas rregullit të ri të publikuar nga autoritetet amerikane të emigracionit, aplikantët për qëndrim të përhershëm ligjor do të duhet të rikthehen në vendet e tyre të origjinës për të përfunduar procedurat dhe për të aplikuar për vizën përkatëse.
Vendimi pritet të prekë qindra mijëra emigrantë të ligjshëm që jetojnë dhe punojnë aktualisht në SHBA, pasi shumë prej tyre mund të detyrohen të lënë familjet, vendet e punës dhe jetën e ndërtuar në Amerikë për muaj apo edhe vite, deri në përfundimin e procesit.
Procesi për marrjen e kartës jeshile konsiderohet prej kohësh një nga më të gjatët dhe më kompleksët në sistemin amerikan të emigracionit. Shërbimet Amerikane të Shtetësisë dhe Imigracionit deklaruan se përjashtime do të ketë vetëm në “rrethana të jashtëzakonshme”.
Sipas zyrtarëve amerikanë, masa synon të ulë rastet kur aplikantët qëndrojnë ilegalisht në SHBA pasi u refuzohet leja e qëndrimit. Të dhënat e Departamentit të Sigurisë Kombëtare tregojnë se rreth 1.4 milion persona morën statusin e qëndrimit të përhershëm ligjor gjatë vitit fiskal 2024.
Rregulli i ri ka shkaktuar reagime të forta politike dhe kritika nga avokatët e emigracionit dhe ligjvënësit demokratë. Kritikët argumentojnë se politika mund të ndajë familje, të dëmtojë ekonominë amerikane dhe ta bëjë SHBA-në më pak tërheqëse për profesionistët e huaj, studiuesit dhe specialistët e teknologjisë.
Administrata Trump e ka vendosur emigracionin në qendër të politikave të saj që prej rikthimit në Shtëpinë e Bardhë, duke ndërmarrë masa për kufizimin e emigracionit të paligjshëm dhe duke ashpërsuar gjithashtu disa forma të emigracionit ligjor.
Ndër masat e marra muajt e fundit përfshihen kufizime mbi azilin, reduktimi i programeve të mbrojtjes së përkohshme dhe rishikimi i vizave të punës dhe studentëve. Rregulli i ri për kartat jeshile pritet të përballet me sfida ligjore në gjykatat amerikane në ditët në vijim./A.D
