Shpresohej që Kupa e Botës do të sillte bum turistik në Shtetet e Bashkuara, por tani ekziston frika se kjo mund të mos realizohet kurrë
Një raport i American Hotel & Lodging Association (AHLA) zbuloi se rezervimet janë shumë më poshtë pritshmërive në thuajse të gjitha qytetet pritëse.
AHLA tha se kjo nuk përputhet me deklaratat e FIFA, sipas së cilës janë shitur më shumë se 5 milionë bileta, duke sjellë rrezikun që “rritja ekonomike e parashikuar mund të mos konkretizohet”.
AHLA është shoqata më e madhe e hoteleve në Shtetet e Bashkuara, që përfaqëson më shumë se 32 mijë struktura dhe më shumë se 80% të të gjithë hoteleve me franshizë.
Raporti i saj ia hedh pjesërisht fajin FIFA-s, duke e akuzuar organin qeverisës të futbollit botëror për rezervimin e një numri të lartë dhomash për përdorim të vetin, duke krijuar kështu kërkesë të rreme.
Sipas AHLA, kjo solli çmime artificialisht të larta, të cilat pasi FIFA anuloi një numër të madh dhomash, janë zëvendësuar nga mungesë oferte të disponueshme. FIFA deklaroi se nuk e njeh këtë akuzë.
Hotelet thanë se çmimet e larta të biletave të ndeshjeve, kostot e transportit lokal dhe taksave, si dhe sfondi politik i kanë dekurajuar vizitorët. Për hotelet, kjo Kupë Bote mund të dështojë.
Rezervimet e FIFA kanë “krijuar kërkesë artificiale”
AHLA tha se hotelet kanë kaluar vite për t’u përgatitur dhe kanë bërë “investime të konsiderueshme” mbështetur në parashikimet zyrtare.
Një studim i porositur nga FIFA dhe i publikuar vitin e kaluar, parashikonte që, në Shtetet e Bashkuara, Kupa e Botës mund të krijonte 185.000 vende pune, duke shtuar 17.2 miliardë dollarë në Produktin e Brendshëm Bruto.
Hotelet po përgatiteshin për të pritur një fluks udhëtarësh ndërkombëtarë, të cilët rezervojnë qëndrime më të gjata dhe me shpenzime më të mëdha.
Por AHLA tha se një numër më i ulët tifozësh të huaj “kërcënon ndikimin ekonomik më të gjerë”, pak më shumë se tre javë nga ndeshja hapëse më 11 qershor.
AHLA deklaroi se rezervimet në shkallë të gjerë nga FIFA në të gjitha qytetet “ndikuan te parashikimet e të ardhurave, planet e personelit dhe përgatitjet”.
Kjo politikë rezervimesh, sipas AHLA, “ka krijuar një kërkesë të rreme” dhe ka maskuar faktin se fluksi turistik do të jetë më i ulët se parashikimet.
Sipas AHLA, deri në 70% e dhomave të rezervuara nga FIFA në Boston, Dallas, Los Anxhelos, Filadelfia dhe Siatëll janë anuluar.
Në një deklaratë, FIFA hodhi poshtë pretendimet e AHLA-s dhe tha se kishte respektuar marrëveshjet e bëra me rrjetet e hoteleve.
“Të gjitha lirimet e dhomave janë bërë duke respektuar afatet e marrëveshjes me hotelet partnere: një praktikë standarde për një ngjarje të këtyre përmasave”, – deklaroi një zëdhënës i FIFA-s.
“Gjatë gjithë procesit të planifikimit, ekipi i FIFA, i ngarkuar me prenotimet, ka kryer bisedime të vazhdueshme me palët e interesuara të hoteleve, duke përfshirë aspektet e paketës së dhomave, marrëveshjet për çmimet, llojet e dhomave dhe duke raportuar rregullisht, të mbështetura nga mbledhje të hapura dhe komunikimi i vazhdueshëm”.
Çmimet u rritën ndjeshëm pas hedhjes së shorteut, menjëherë sapo tifozët mësuan se në cilat qytete do të ishin ekipet e tyre.
Që prej atëherë është regjistruar një rënie graduale, sipas asaj që bëhet e ditur me një 20% të mëtejshëm në javët e fundit.
Megjithatë, mund të jetë shumë vonë për të tërhequr sërish tifozë.
Çmimet e hoteleve në qytete si Boston janë më të larta se 300 dollarë/nata, dhe pjesa më e madhe e tifozëve kanë një buxhet më të ulët.
AHLA deklaroi për BBC Sport se “parashikon një rritje të rezervimeve në muajt qershor dhe korrik”.
“E dimë se shumë tifozë po presin ende që të qartësohen biletat dhe oraret përpara se të finalizojnë planet” – tha një zëdhënës.
“Mendojmë se rezervimet do të rriten në javët e ardhshme. Hotelet janë gati të mirëpresin tifozët dhe t’u japin përvojën më të mirë të mundshme”.
Airbnb thotë se Kupa e Botës është në rrugën e duhur për t’u bërë “ngjarja më e madhe pritëse në historinë e Airbnb”, duke kaluar Lojërat Olimpike dhe Paralimpike në Paris, në vitin 2024.
Megjithatë, duket e pamundur që Kupa e Botës të sjellë të ardhurat që parashikoheshin./ BBC-A.D
