Aurelio De Laurentiis ka refuzuar një ofertë prej 2 miliardë eurosh nga një grup investitorësh amerikanë për blerjen e shumicës së aksioneve të Napolit.
Oferta ishte ndërmjetësuar nga Matt Rizzetta, president i skuadrës së basketbollit të Napolit, dhe parashikonte investime të mëdha infrastrukturore për klubin italian. Projekti përfshinte ndërtimin e një qendre sportive moderne dhe zhvillime të tjera afatgjata për ekipin.
Megjithatë, presidenti i Napolit vendosi të mos heqë dorë nga kontrolli i klubit që bleu në vitin 2004. Vlera aktuale e Napolit llogaritet rreth 1.1 miliardë euro, shumë më e ulët se oferta e paraqitur nga investitorët amerikanë.
Kontaktet mes palëve kanë vazhduar për disa muaj, por De Laurentiis nuk ndryshoi qëndrim, sidomos në prag të 100-vjetorit të klubit më 1 gusht 2026. Pas këtij vendimi, prioritetet kryesore të klubit mbeten zgjedhja e trajnerit të ri pas largimit të Antonio Contes dhe projekti për ndërtimin e një stadiumi të ri. Presidenti i Napolit ka bërë të qartë se nuk planifikon ta shesë klubin në të ardhmen e afërt./mxh
