Në Madrid të Spanjës janë zhvilluar protesta masive kundër qeverisë, ku pjesëmarrësit kanë dalë në rrugë duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Pedro Sanchez.
Demonstruesit, shumë prej të cilëve valëvitnin flamuj spanjollë të kuq e të verdhë dhe mbanin pankarta me mbishkrimin “Mjaft!”, marshuan nëpër rrugët e Madridit të shtunën pas një banderole të madhe që shkruante: “Korrupsioni ka një çmim. Mjaft më me pandëshkueshmëri. Dorëheqje dhe zgjedhje tani.”
Protesta u thirr nga një grup prej më shumë se 150 shoqatash qytetare të quajtur Sociedad Civil Espanola dhe u mbështet nga Partia Popullore konservatore (PP) dhe partia e ekstremit të djathtë Vox. Organizatorët u shprehën se pjesëmarrësit ishin rreth 120,000.
Sanchez, i cili erdhi në pushtet në vitin 2018 pasi përdori një votë mosbesimi për të rrëzuar qeverinë konservatore të PP-së të zhytur në korrupsion, është zotuar të vazhdojë, pavarësisht përhapjes së akuzave për korrupsion në lidhje me rrethin e tij.
Vëllai i tij, David, është planifikuar të dalë në gjyq për korrupsion. Gruaja e tij, Begona Gomez, po ashtu është nën hetim në një rast të veçantë korrupsioni. Sanchez i ka hedhur poshtë këto raste kundër familjes së tij si të motivuara politikisht./mxh
