Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy u ka bërë thirrje liderëve të Bashkimit Europian që të nisin procesin e anëtarësimit të Ukrainës në BE, duke e cilësuar të padrejtë propozimin për një status të asociuar, pa të drejtë vote.
Në një letër drejtuar udhëheqësve europianë, Zelenskyy tha se një anëtarësim i pjesshëm do ta linte Ukrainën “pa zë” dhe pa mundësi për të mbrojtur interesat e saj në institucionet europiane.
Përpjekjet e Kievit për integrim janë shtuar pas humbjes së ish-kryeministrit hungarez Viktor Orbán në zgjedhjet parlamentare hungareze. Gjatë qeverisjes së tij, Hungaria kishte bllokuar disa herë me veto avancimin e Ukrainës drejt BE-së dhe ndihmat për Kievin.
Ndërkohë, luftimet mes Ukrainës dhe Rusisë vazhdojnë me intensitet. Rusia akuzoi Ukrainën për një sulm ndaj një konvikti studentor në qytetin e kontrolluar nga rusët, Starobilsk, ku sipas autoriteteve ruse humbën jetën të paktën 12 persona dhe dhjetëra të tjerë mbetën të plagosur ose të bllokuar nën rrënoja.
Moska paralajmëroi “ndëshkim të ashpër” ndaj përgjegjësve, ndërsa Kievi mohoi se kishte goditur objektiva civilë, duke deklaruar se kishte shënjestruar një njësi elitare të dronëve rusë. Zelenskyy njoftoi gjithashtu se ushtria ukrainase ka goditur uzinën kimike Metafrax Chemical në rajonin rus të Permit, rreth 1,700 kilometra larg kufirit ukrainas.
Sipas tij, fabrika furnizonte industrinë ushtarake ruse me materiale për dronë, raketa dhe eksplozivë, ndërsa prodhimi në uzinë është ndërprerë. Sulme të tjera ukrainase goditën një rafineri nafte në Yaroslavl dhe një terminal nafte në portin rus të Novorossiyskut në Detin e Zi.
Presidenti ukrainas deklaroi se Ukraina ka rimarrë afro 600 kilometra katrorë territor që nga fillimi i vitit, duke shtuar se kjo po e detyron Rusinë të angazhohet në negociata diplomatike. Sipas tij, rreth 86 mijë ushtarë rusë janë vrarë këtë vit, ndërsa mijëra të tjerë janë plagosur ose kapur rob.
Autoritetet ukrainase paralajmërojnë se Rusia mund të përgatitet për një ofensivë të re në muajt e ardhshëm, ndërsa forcat ruse po rigrupohen përgjatë vijës së frontit./mxh
