Last Updated on 25/05/2026 by Monika
Burokraci të shtuara dhe kritere të forta për përfitimin nga skema mbështetëse në bujqësi. Kështu e cilësojnë fermerët në Lushnje. “Ka shumë burokraci. Duhet të thjeshtohen gjërat. Ne tokën e kemi marrë me copëza dhe tani na thonë të bashkohemi. Nuk është e lehtë.”, tha një prej tyre.
Sipas tyre, bashkimi i fermerëve për të plotësuar sipërfaqen prej 3 hektarësh , si dhe faturat dhe sigurimet shoqërore, e vështirësojnë aplikimin. Ata e konsiderojnë të pamjaftueshëm subvencionin për blerjen e inputeve bujqësore dhe kanë vështirësi për shitjen e prodhimit tek tregtarë të licencuar.
“Çmimet janë rritur për gjithçka: nafta, plehrat, mekanika. Në fund nuk del fitim. Punojmë dhe dalim me zero.”, shtoi një tjetër. Fermerët thonë se heqja e subvencionit për karburantin ka rritur më tej kostot e punës në bujqësi, sidomos për vaditjen dhe punimet mekanike.
“Ne vadisim me pompa dhe karburanti është shumë i shtrenjtë. Kjo po na rëndon shumë.”, tha një tjetër. Ndërkohë, edhe sektori i blegtorisë po përballet me rënie të çmimit të qumështit, ndërsa ankohen për mungesë stabiliteti në treg. Pavarësisht ankesave, procesi i aplikimeve për skemën mbështetëse po ecën normalisht në gjithë vendin. Fondi është 5.2 miliardë lekë dhe aplikimet do të jenë të hapura deri më 25 qershor./mxh
