Partia Socialiste festoi dje 35-vjetorin e themelimit, në një aktivitet ku drejtues dhe figura të saj politike folën për historinë, organizimin dhe objektivat e forcës politike që prej vitit 1991. Në fjalën e tij, Blendi Klosi e cilësoi PS-në si një “strukturë të gjallë” që, sipas tij, i ka shërbyer Shqipërisë nga dita e themelimit deri në fazën e integrimit europian.
Klosi tha se socialistët duhet të ndihen krenarë për rrugëtimin 35-vjeçar të partisë, duke theksuar se PS-ja sot, nën drejtimin e Edi Ramës, është kthyer në një “makinë fituese”.
“Kjo parti, Partia Socialiste e Shqipërisë, sot nën drejtimin e Edi Ramës, është bërë një makinë fituese. Fitojmë çdo garë, fitojmë çdo betejë, përgatitemi për zgjedhje dhe përgatitemi për të fituar çdo betejë”, u shpreh Klosi.
Ai përmendi rezultatet elektorale të PS-së, duke thënë se partia vjen në këtë përvjetor “më fituese se kurrë”, me 83 mandate në Parlament, 55 bashki të drejtuara nga socialistët dhe 62% të votës së emigrantëve.
Klosi u ndal edhe te anëtarësimet e reja në parti, duke deklaruar se vetëm në dy fushatat e fundit janë anëtarësuar mbi 50 mijë anëtarë të rinj.
“Vetëm në dy fushata ne kemi anëtarësuar anëtarë më shumë sesa kundërshtari ynë ka të gjithë anëtarësinë e partisë së tyre të rrënuar tashmë”, tha ai.
Në mbyllje, Klosi falënderoi themeluesit dhe të gjithë ata që kanë kontribuar ndër vite në Partinë Socialiste, ndërsa shprehu bindjen se, me drejtimin e Edi Ramës, PS do të vazhdojë të fitojë dhe të çojë përpara objektivin e integrimit europian.
“Me Edi Ramën dhe lidershipin e tij ne do të vazhdojmë të fitojmë. Do ta çojmë Shqipërinë në Bashkimin Europian dhe do të ndërtojmë Shqipërinë Europiane së bashku me të gjithë socialistët”, u shpreh Klosi./A.D
